Greva në doganat greke, rikthehen radhët në kufi
Në Kapshticë, Kakavijë dhe Portin e Sarandës janë parë dhjetëra kamionë e maune që të kthehen pas
Ndërprerja e paralajmëruar e punës dhe veprimtarisë së doganave greke ka sjellë një sërë vështirësish edhe për qarkullimin e mallrave dhe njerëzve në drejtim të Shqipërisë e kryesisht me qytetet e kontaktit të parë. Vështirësitë e para janë konstatuar në Gjirokastër, Korçë dhe Sarandë. Bllokimi i punës gjatë dy ditëve të mëparshme ishte i paralajmëruar dhe gjendja është paraqitur normale, ndërsa ditën e djeshme kanë filluar të krijohen radhët e para. Kjo pasi njoftimet e palës greke nuk kishin parashikuar një ditë të tretë greve. Një pjesë e mirë e mauneve dhe kamionëve të mbërritura në orët e para të mëngjesit të djeshëm në doganat e Kakavijës dhe të Kapshticës kanë preferuar t’i parkojnë automjetet aty, në pritje të rifillimit normal të punës. Madje ka pasur edhe raste kur automjetet janë kthyer mbrapsht. Në Kapshticë, mbi 70 kamionë kanë pritur në radhë në anën shqiptare të kufirit, në pritje të sinjaleve pozitive dhe të hapjes së kufirit për kalimet e tyre, ndërsa asnjë mjet i vogël nuk ka guxuar t’i afrohet vendkalimit kufitar, përderisa hyrja dhe dalja nga Greqia mund të bëhet vetëm në këmbë. Ndërkaq, në territorin e shtetit fqinj radha e automjeteve nga orët e para të mëngjesit të djeshëm ka kaluar dy kilometra, ndërsa udhëtarë të shumtë janë vënë në pritje në automjetet e tyre në një kohë të keqe të shoqëruar dhe me reshje shiu. Për sa iu përket kamionëve dhe mauneve të ngarkuar me mall në afërsi të doganës greke, numri i tyre është duke u rritur në çdo moment, kanë bërë të ditur për gazetën përfaqësues të doganës shqiptare në Kapshticë, të cilët kanë pasur dhe kontakte të vazhdueshme me homologët e tyre helenë. Një situatë e ngjashme është vënë re në portin e Sarandës ku në sheshin e trageteve janë rreshtuar me dhjetëra makina te vogla e autobusë në pritje të pasagjerëve të linjës detare. Pas një pritjeje disa orë, shoferët janë detyruar të kthehen pas pa pasagjerë e pa turistë. Sipas specialistëve të dhomës së tregtisë në Sarandë, ky bllokim sjell një humbje të konsiderueshme për bizneset dhe veprimtaritë prodhuese pasi tregtia në këtë rajon është orientuar mbi bazën e këmbimeve dhe marrëveshjeve me shtetin grek.