Shkurt
Vrau kushëririn, dënohet me 19 vjet burg
SHKODËR- Gjykata e Shkodrës ka dënuar me 19 vite burgim 57- vjeçarin Qamil Hasanaj nga fshati Grudë për vrasjen e kushëririt të tij të dytë Zyhdi Hasanaj, ngjarje kjo e ndodhur më 9.2.2008. Akuza e përfaqësuar nga prokurorja Arjola Ymeri kishte kërkuar një javë më parë deklarimin fajtor të 57- vjeçarit dhe dënimin e tij me 23 vjet burgim. Vetë i pandehuri ka kërkuar mëshirë ndërsa mbrojtja ka pretenduar që të ndryshohet akuza nga vrasje me dashje në vrasje të thjeshtë të kryer në moment. Por kjo nuk është pranuar nga trupi gjykues pasi nisur nga provat e paraqitura gjatë shqyrtimit gjyqësor, ka rezultuar se viktima Zyhdi Hasanaj dhe kushëriri i tij i dytë Qamil Hasanaj kishin prej disa kohësh konflikt për një pjesë toke. Ditën e ngjarjes, dy kushërinjtë janë grindur tek toka që ndodhet rreth 300 m larg banesave të tyre që nuk janë larg njëra – tjetrës. Rreth 2 orë më pas, autori ka marrë një thikë dhe ka shkuar në shtëpinë e viktimës ku dhe e ka goditur atë një here pranë zemrës. ------------------------------------------------------Zjarri rrezikon zyrat e komunës Gur i Zi
SHKODËR- Lënia ndezur e inverterit të energjisë elektrike për t’u karikuar, ka rrezikuar seriozisht djegien e zyrës së gjendjes civile në komunën Gur i Zi në Shkodër. Ka qenë ora 07.20 e ditës së djeshme kur pastruesja e ambienteve të komunës ka hapur derën e zyrës së gjendjes civile për të bërë punën e saj të përditshme. Por aty është ndeshur me tymin që dilte nga vendi ku ishte vendosur inverteri, ndërsa zjarri ishte përhapur nga pajisja tek perdet e zyrës. Menjëherë janë lajmëruar zjarrfikëset dhe roja i komunës ka bërë shkëputjen e energjisë elektrike. Të ndihmuar dhe nga banorë që janë ndodhur aty, është ndërhyrë shpejt për të mos lejuar përhapjen e zjarrit tek zyra e mbushur me dokumente e pajisje favorizuese për përhapjen e tij dhe vetëm pak minuta më pas ai është shuar. A. D
-------------------------------------------------------------Kapet me 41 kg hashash në shtëpi, arrestohet
VLORË- Antidroga e Vlorës ka zbuluar 41 kg hashash në një banesë në fshatin Romës. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Vlorës, është ndaluar shtetasi Reshat Dedaj, 44 vjeç, në banesën e të cilit, pas një kontrolli u zbulua një sasi prej 41 kg lëndësh narkotike. Kontrolli në banesën e Dedajt mësohet të jetë bërë pas informacioneve të marra në rrugë operative nga policia, duke qenë se tashmë kontrollet nëpër fshatra janë pezulluar pasi nuk është periudha e rritjes së bimës narkotike. Burimet u shprehën se hashashi ishte i ndarë në dy pjesë, një sasi ndodhej brenda shtëpisë së Dedajt dhe një sasi tjetër ndodhej në ambientet e jashtme të saj.