E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen 25 makina luksoze, dyshohen si të vjedhura

 

Policitë e Elbasanit dhe Durrësit kanë verifikuar numrat e shasive të makinave duke zbuluar 25 raste të dyshimta

Një aksion i policive të Durrësit dhe Elbasanit ka bërë të mundur bllokimin e 25 makinave super-luksoze të cilat dyshohet se janë vjedhur jashtë Shqipërisë. Pothuajse të gjitha makinat janë pajisur në mënyrë abuzive me targa të rregullta por verifikimet në bashkëpunim me zyrën e Interpolit kanë zbuluar të vërtetën për to.

Durrës

Policia e Durrësit ka realizuar në orët e para të ditës së mërkurë një operacion masiv për makinat po dokumentacionin e duhur. Në fund të aksionit krerët e policisë lokale pohuan se kanë arritur që të zbulojnë257 raste shkeljesh te normave te kodit rrugor, për të cilat drejtuesit e mjeteve janë ndëshkuar administrativisht. Vlera totale e masave, sipas komunikatës së policisë, shkon në 255.000 por hetuesit pohuan se ky operacion është iniciuar fillimisht pas disa informacioneve të marra në rrugë operative për lëvizjen e disa mjeteve që dyshoheshin si të trafikuara apo edhe me numër shasie të ndërruar nga specialistët e ofiçinave klandestine, të cilat janë goditur disa herë në Durrës për bashkëpunim me trafikantët e mjeteve motorike. Burimet policore konfirmojnë se kontrollet janë kryer kryesisht në akset kryesore rrugore Durrës-Tiranë në të dy kahet e lëvizjes, në zonën e Shijakut, në segmentin rrugor Fushë Krujë-Laç, në zonën e plepave, brenda qytetit të Durrësit, etj. Krahas tyre, kontrolle janë kryer edhe në pikat e shitjes, varrezat e serviset e automjeteve në Shënavlash, Shkallnur, Arapaj, Xhafzotaj e Pjezë. Në fund të ditës, policia bëri të ditur edhe numrin e saktë të makinave të bllokuara, i cili është 15. Pjesa më e madhe e tyre është e pajisur me targa të Tiranës. “Lidhur me 15 rastet po kryhen veprimet e para hetimore në ngarkim të pronarëve të tyre për veprën penale të trafikimit të mjeteve motorike dhe materialet do t’i kalojnë për ndjekje prokurorisë”,- thanë burimet e policisë.

Elbasan

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në qytetin e Elbasanit ku policia ka mundur që të bllokojë 10 automjete luksoze dhe ka filluar procedimi penal. Operacioni është përqendruar dy ditët e fundit në akset kryesore rrugore dhe në segmentet nacionale. Policia rrugore, në bashkëpunim me atë të rendit, ka kaluar në sitë dokumentet e rreth 800 automjeteve të shtrenjta nga të cilat për mungesa në dokumentacion janë bllokuar paraprakisht 10 ndërsa për dy automjete ka filluar procedimi penal pasi dyshohet se janë vjedhur në shtetet fqinje. Mjetet e bllokuara janë transportuar për në pikën e bllokimit në Metalurgji. Drejtori i Policisë së Elbasanit, Aleks Hajdari, thotë se ky operacion do të vazhdojë deri mesditën e së enjtes ku edhe do të bëhet bilanci i numrit të mjeteve të bllokuara dhe po kështu verifikimi i atyre që rezultojnë si të vjedhura. Për këtë, sipas tij, po punohet ngushtë me Interpolin dhe janë duke u konfrontuar shasitë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›