E Diel, 1 Nëntor 2026

Greva në minierën e Bulqizës, pesë minatorë hiqen nga puna

Protesta e minatorëve të Bulqizës, që nisi ditën e premte, duket se nuk do të kalojë pa ndëshkime për ata që konsiderohen organizatorë të saj. Këtë e konfirmoi për "Shqip" kryesindikalisti i kësaj miniere, Dilaver Përkoxha. Sipas tij, protesta e nisur nga minatorët për mosdhënien e pagës së 13-të nga firma e huaj, duke ndërprerë punën në minierë, është e jashtëligjshme. "Pikërisht në ditën e ndërprerjes së punës, unë së bashku me anëtarët e këshillit sindikal kemi qenë në Tiranë, ku kemi diskutuar me administratorin e kompanisë, Elton Beqaj, veç të tjerave, probleme edhe për marrjen e pagës së 13-të nga minatorët", thotë Përkoxha. Sipas tij, administratori Beqaj prezantoi në këtë takim situatën jo të mirë financiare të kompanisë, për shkak të uljes drastike të çmimit të shitjes së kromit, ndaj kërkoi që këshilli sindikal të jepte mirëkuptim për shtyrjen e afatit të pagesës së pagës së 13-të për minatorët, duke e njohur atë si detyrim të lindur nga zbatimi i kontratës kolektive. "Por pas kundërshtimit tonë kategorik, tregon Përkoxha, administratori Beqaj është tërhequr nga propozimi i tij për shtyrjen e kësaj pagese, duke pranuar që ajo të jepet së bashku me pagën e muajit nëntor. Ndërkohë që minatorët, me marrjen e njoftimit për pagesën e 13-të të tyre, u janë kthyer galerive, disa prej tyre, të konsideruar si organizatorë të protestës, nuk janë lejuar të futen në galeri nga drejtuesit e minierës. Baki Bajraktari, një ndër anëtarët e këshillit sindikal, thotë se nuk është lejuar nga shefi i zonës që të futet në galeritë e thella të nëntokës për të punuar, me pretekstin se është ditë pushimi. Ai pohon për "Shqip", se gjatë ditës së protestës ka marrë shumë telefonata kërcënuese, madje edhe nga presidenti i Konfederatës Sindikaliste të Shqipërisë, Kolë Nikolli, që e ka konsideruar gabim të madh ndërprerjen e punës nga ana e minatorëve, pa marrë miratimin e kryetarit të sindikatës. Ndërkohë edhe vetë kryesindikalisti Përkoxha thotë se protesta është e jashtëligjshme dhe s‘kishte arsye të ndodhte. "Lufta ndaj meje, se gjoja kam tradhtuar interesat e minatorëve, duke u bërë palë me drejtuesit e minierës, bëhet nga persona të veçantë, për interesa personale të vogla. Unë për asnjë moment jo që nuk i kam tradhtuar minatorët, por as më ka shkuar ndër mend një gjë e tillë". Edhe pse puna në minierë ka rinisur, situata mbetet tejet e tensionuar. Minatorët nga njëra anë shprehen se protestat e tyre mund të rëndohen deri në të dhunshme, në rast se ndaj tyre do të vazhdojnë presionet. Ndërkohë që sipas kryesindikalistit Dilaver Përkoxha, merret vesh se administratori i ACR-së, Elton Beqaj, ka urdhëruar drejtorin e minierës, Petrit Duva, për të marrë masa disiplinore mbi minatorët që organizuan protestën. Deri dje, pesë minatorë janë pushuar nga puna për organizimin e grevës së të premtes.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›