Rruga e "Barrikadave" me 150 gështenja dekorative
Pas rikonstruksionit të plotë të rrugës së "Barrikadave", Ndërmarrja e Punëtorëve Nr.1 të qytetit, këtë fillim jave nisi punën për gjelbërimin e rrugës, duke mbjellë 150 gështenja dekorative. "Vendosja e pemëve plotëson të gjitha punimet për rehabilitimin e rrugës së ‘Barrikadave‘, i jep një përmasë të gjelbër kësaj rruge të vjetër dhe të re të qytetit tonë, nga ku unë përfitoj nga rasti, të përsëris edhe një herë thirrjen që të gjithë sipërmarrësit e kryeqytetit, t‘i bashkohen nismës së bashkisë ‘Një qytetar-një pemë‘, duke kontribuar për të mbjellë pemë, në funksion të pjesëmarrjes së qytetarëve që përfshihen në sipërmarrjet e tyre dhe nga ana tjetër edhe e gjithë komuniteteve, për të marrë pjesë në këtë proces, i cili është themeli i një të ardhmeje të gjelbër për qytetin e Tiranës, një qytet që të mos ta harrojmë asnjëherë, ia kemi borxh fëmijëve tanë", u shpreh kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, gjatë inspektimit të punës për gjelbërimin e rrugës së "Barrikadave". Ndërkohë, përgjatë gjithë këtij muaji, Ndërmarrja e Punëtorëve Nr.1 e kryeqytetit do të vijojë punën edhe për mbjelljen e rreth 2100 copë drurëve dekorativë të llojeve rrap, manjol, gështenjë, bli, dafinë etj, nëpër të gjitha akset kryesore të qytetit.