E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestojnë minatorët: Duam status

Minatorët kanë ngritur sërish zërin përpara selisë së Kryeministrisë, me shpresën se një derë do të hapej për të dëgjuar kërkesat e tyre. E ndonëse kjo do të jetë edhe protesta e tyre e fundit për këtë vit, duket se 2008-a do t‘i lërë pa përgjigje hallet e punonjësve të nëntokës. E po kështu do të mbeten memecë jo vetëm drejtuesit e Ministrisë së Industrisë, por edhe vetë Kryeministri Berisha.

Minatorët kanë kërkuar me ngulm pas muajsh të tërë protestash miratimin e statusit të tyre si punonjës të nëntokës. Ata janë mbledhur përsëri dje përpara Kryeministrisë, duke i kërkuar kreut të qeverisë të marrë në shqyrtim projektligjin e dërguar prej vitesh në tryezë. Me kalimin e këtij drafti, minatorët shpresojnë të zgjidhin dy nga çështjet më thelbësore: së pari moshën e daljes në pension dhe së dyti rritjen e masës së pensionit të tyre, duke qenë se klasifikohen te një ndër profesionet më të vështira, ai i kategorisë A.

Në këtë tubim të radhës, minatorët janë mbështetur edhe nga LSI-ja, e cila nga ana e saj ka dërguar në Kuvend një projektligj për statusin e minatorëve, që gjithashtu nuk është marrë ende në shqyrtim. Pas më shumë se një viti proteste dhe pas zhvillimit të një greve të gjatë urie, minatorët nuk kanë arritur ende të priten nga qeveria për të diskutuar dhe parashtruar kërkesat që kanë për përmirësimin e gjendjes së tyre ekonomike dhe mirëqenies sociale.

Sekretari i Përgjithshëm i sindikatës së minatorëve, Fiqiri Xibri, u shpreh dje se protestat e punonjësve të nëntokës do të vijojnë sërish vitin që vjen. Ai ka ripërsëritur kërkesën në emër të minatorëve për t‘u ulur në diskutime me përfaqësuesit e qeverisë dhe ekspertët, në mënyrë që të negociojnë së bashku si për moshën e pensionit, ashtu dhe për masën e tij. Sipas Xibrit, kjo shurdhëri e qeveritarëve ndaj kërkesave të bëra publike shumë herë nga ana e minatorëve, do t‘i bëjë ata që të rishohin qëndrimin e tyre edhe në lidhje me zgjedhjet e pritshme elektorale. Madje kreu i sindikatës së minatorëve është shprehur se ata do të shqyrtojnë edhe alternativën e futjes në negociata me përfaqësuesit e opozitës lidhur me çështjet që i shqetësojnë më shumë.

Më 30 janar të vitit ‘91, Presidenti dekretoi ligjin për punonjësit e industrive, kategoria e parë dhe e dytë. Sipas këtij dekreti, ata do të dilnin në pension 5 vjet më shpejt se të tjerët, respektivisht në moshën 45 dhe 50-vjeçare. Ndërsa dy vjet më vonë, punonjësve të industrive iu rrit mosha me 5 dhe 10 vjet. Sipas sindikatave, arbitrariteti vazhdoi edhe më tej dhe për këtë u kërkua rishikimi i ligjit. Në vitin 2002 u miratua ligji që e rriste moshën e pensionit deri në 65 vjeç. Duke pasur parasysh të gjithë këta faktorë, projektligji i përgatitur nga Sindikata e Minatorëve kërkon të ulë moshën e daljes në pension, në mënyrë të veçantë uljen e viteve të punës për kategorinë e parë, ku përfshihen profesionet e vështira. Në relacionin e projektligjit sqarohet: "Rritja e moshës së pensionit ul rendimentin e punës në mënyrë të veçantë për punonjësit që punojnë dhe vazhdojnë të punojnë në punë të dëmshme për shëndetin dhe jetëgjatësinë, si dhe realizon grabitjen e kontributeve të tyre për efekt pensioni".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›