E Diel, 1 Nëntor 2026

Mësuesit i ngelin në klasë, drejtoria arsimore i kalon

Mësuesit i ngelin në klasë, drejtoria arsimore i kalon. Kjo ka ndodhur gjatë vitit shkollor të kaluar në gjimnazin e Librazhdit. Në këtë shkollë, nxënësit e mbetur në klasë janë marrë në provim. Në regjistrin ku është bërë korrigjimi, figurojnë kalues, ndërsa në dëftesa jo. Në korrik të vitit 2008, drejtoria e gjimnazit "Ibrahim Muça" në Librazhd ngeli 31 nxënës të vitit të parë dhe të dytë. Një javë më vonë, drejtori i zyrës arsimore të Librazhdit vendosi të merrte në provim nxënësit dhe i kaloi. Ndërkohë, nëse shikon listë-prezencën e tyre, vëren se një nxënës përveçse është mbetës në më shumë se katër lëndë, ka edhe mbi 50 mungesa pa arsye. "Fiks Fare" zbuloi se dëftesat ishin firmosur dhe vulosur më 7 korrik 2008 dhe 31 nxënësit figuronin ngelës, ndërkohë që provimi ku ata kanë kaluar klasën është bërë dy ditë më pas. "Fiks Fare" intervistoi njërin prej 31 nxënësve të mësipërm, i cili kishte bërë 121 mungesa gjatë gjithë vitit shkollor, që nuk e kishte idenë se në sa lëndë kishte mbetur dhe sa provime kishte marrë pas shpalljes ngelës në dëftesën e firmosur nga mësuesit. Në listën e këtyre dëftesave gjen edhe nxënës me 125 mungesa, për të cilët mësuesit kanë lënë shënimin se e kanë zero interesin për shkollën.

Drejtori i shkollës justifikohet me ankesën e bërë nga nxënësit që kanë kërkuar ngritjen e komisionit. Por kur e përballim me mospërputhjen e datave të lëshimit të dëftesave dhe ngritjes së komisionit, ai justifikohet me ngarkesën që ka pasur në punë.

"Kam pasur shumë punë, sepse jam marrë me maturat shtetërore dhe me formularin A2", përgjigjet drejtori i gjimnazit të Librazhdit, kur e pyesim se përse ka kërkuar komision për marrjen në provim të nxënësve mbetës pas bërjes së dëftesave. Ndërsa drejtori i zyrës arsimore Librazhd, Ferit Hysa, kur shikon dëftesat që pasqyrojnë mbetjen në klasë të 31 nxënësve të gjimnazit, ngre supet dhe thotë se nuk e di sesi janë bërë, por këmbëngul në faktin se 31 nxënësit e mësipërm e kanë marrë klasën, pasi ata i kanë marrë në provim. Fillimisht kur i tregojmë mungesat që kishte bërë një nxënës, ai thotë: "74 mungesa janë"! Ndërkohë që 74 mungesa një nxënës i ka bërë vetëm në një semestër. Kur shikon që kanë firmosur për të kaluar klasën edhe nxënës që kanë pasur nga 120-125 mungesa, e pranon se nuk është normale, por çfarë ishte për t‘u bërë, ishte bërë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›