E Diel, 1 Nëntor 2026

Korridori 8, nis sot në Tiranë punimet konferenca e vendeve anëtare



Sot në Tiranë do të zhvillohet paraqitja zyrtare e “AMICO”-s, programit të mbështetjes së bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar të vendeve të Korridorit 8, Itali, Shqipëri dhe Maqedoni. Lajmi bëhet i ditur nga Konfindustria, sipas të cilit, ky program është pjesë e rëndësishme e lobingut strategjik të qeverisë së Italisë, në bashkëpunim me qeveritë e vendeve përfituese të rajonit të Ballkanit Perëndimor mbi përafrimin në kohë të sigurimit të financimeve të ndërtimit të Korridorit 8 nga Bashkimi Europian, në raport me projektet e tjera konkurrente në rajonin e Europës Juglindore. Përmendim se Korridori 8 para disa vitesh, me vendim të Komisionit të BE-së ishte parashikuar të financohet pas vitit 2020, vendim i marrë në favor të projekteve konkurrente, kryesisht të atyre projekteve, që kalonin nga territori i Greqisë. Nga ana tjetër, bëhet e ditur se të pranishëm në takimin, do të jenë përfaqësues të lartë të ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Italisë, asaj të Ekonomisë dhe Transporteve në Shqipëri etj.

Vendimi, pensione speciale për artistë dhe shkrimtarë

Qeveria shqiptare ka vendosur dje në mbledhjen e radhës me propozim të Kryeministrit Sali Berisha, dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror për disa artistë, shkrimtarë dhe figura të muzikës dhe sportit në vend. Këtë masë e përfitojnë personat: Sadete Bishanaku, Shpresa Vreto, Liljana Cingu, Rudina Proda, Myslim Islami, Mexhit Haxhiu, Bexhet Shehu, Hamdi Petrela, Arjan Miluka, Zija Çela, Gazmend Velçani, Llazaraq Serbo, Alfons Balliçi dhe Ahmet Golemi. Përfituesit e marrin atë në masën e pensionit maksimal, por shuma e pensionit që i takon sipas ligjit nr.7703, datë 11.05.1993, plus këtë shtesë nuk do ta kalojë dyfishin e pensionit maksimal. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

20 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›