E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarakët, mbeten në fuqi vendimet e gjykatave për rillogaritjen e pensionit

Nuk do të ketë rillogaritje të përfitimeve për pensionet e caktuara me ligjet e mëparshme

Jonida Tashi

Përfitimet financiare që ish-ushtarakët kanë fituar nga ligjet e mëparshme, por edhe me vendime të formës së prerë të gjykatave, do të mbeten në fuqi. Për rrjedhojë, të gjithë ata ushtarakë që kanë përfituar një masë të caktuar pensioni me ligjin e vjetër, ose nëpërmjet vendimeve të gjykatave, do të marrin të njëjtin përfitim, pa u cenuar nga masa e pensionit që përcakton ligji i ri, i cili vendos një pension më të ulët se ligjet e mëparshme. Kjo ka qenë edhe një ndër kërkesat kryesore që drejtuesit e ushtarakëve kanë kërkuar të zbatohet nga qeveria, një e drejtë kjo e mohuar që prej vitit 1999, që tashmë atyre ua ka njohur Gjykata Kushtetuese. Mosnjohja e të drejtave të fituara më parë ishte një ndër arsyet pse Shoqata e ish-Ushtarakëve iu drejtua në fund të vitit 2009 Gjykatës Kushtetuese, për shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të Ligjit Nr. 10142, i cili, ndër të tjera, në nenin 29 kërkon ndryshimin dhe moszbatimin e vendimeve të gjykatave të formës së prerë, gjë që i jep ligjit edhe fuqi prapavepruese, duke bërë që mjaft procese gjyqësore të ushtarakëve për të drejtën e tyre pensionit, të ndërpriten duke u hequr ushtrimin e së drejtës së tyre pranë organeve gjyqësore.
Rillogaritja
Megjithëse Kushtetuesja nuk e ka nxjerrë ende vendimin përfundimtar për Ligjin Nr.10142, datë 15.05.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi dhe të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, paraprakisht mësohet se është rrëzuar plotësisht një prej neneve të tij, dhe tjetri pjesërisht. Më konkretisht, neni që është rrëzuar pjesërisht në ligjin e ri është ai që bën fjalë për rillogaritjen e përfitimeve. Kështu, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë vendosur të shfuqizojnë pikën 3 të nenit 29, që u mohon ushtarakëve disa të drejta të fituara jo vetëm me ligjet e mëparshme, por edhe me vendime të formës së prerë të gjykatave. Në pikën 3 të nenit 29 të Ligjit Nr. 10142, datë 15.05.2009 thuhet: “Pensionet për vjetërsi shërbimi, kur plotësohen kriteret e nenit 11, të Ligjit Nr. 8087, datë 13.3.1996, ‘Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar, dhe kur e drejta për përfitim ka lindur në harkun kohor 1.1.1999 deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, por nuk është caktuar, llogariten sipas kritereve të këtij ligji”. Kjo pikë rrëzonte të gjitha të drejtat financiare që ish-ushtarakët kanë përfituar nga ligjet e mëparshme ose nëpërmjet vendimeve të gjykatave. Sipas anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, një nga nenet që bie ndesh me Kushtetutën është neni 29 pika 3, që u mohon ish-ushtarakëve të drejtën e fituar më parë me ligj, për të përfituar pension sipas ligjeve të mëparshme në fuqi. Ky nen, sipas Gjykatës Kushtetuese, shkel parimin e sigurisë juridike lidhur me masën e pensionit të parakohshëm.
Përfitimi
E drejta e marrjes së përfitimeve të fituara më parë nga ish-ushtarakët është sanksionuar njëherë në nenin 35/1 të Ligjit Nr.9210, datë 23.3.2004, në të cilin është përcaktuar se: “Oficerët, nënoficerët dhe ushtarët me pagesë/profesionistë, me vjetërsi shërbimi 15 vjet për burrat dhe 12 vjet për gratë, gëzojnë të drejtën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, në masën 50% të pagës mujore, deri në plotësimin e kushteve për përfitimin e pensionit të pleqërisë. Për çdo vit tjetër shërbimi mbi kufirin e mësipërm, ushtarakut i jepet një shtesë pensioni në masën 2 për qind të pagës mujore”. Gjithashtu, pika 3 e nenit 29 merr fuqi prapavepruese në mënyrë antiligjore dhe antikushtetuese, duke i hequr çdo ushtaraku të drejtën e ankimimit dhe të kërkesës në rrugë gjyqësore të së drejtës së shkelur prej datës 01.01.1999 deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit të ri.
Ndërsa neni që është rrëzuar plotësisht nga Gjykata Kushtetuese, që bie ndesh me Kushtetutën, është ai numër 27 i Ligjit Nr. 10142, datë 15.05.2009, i cili u mohon të drejtën e pensionit për vjetërsi shërbimi dhe kontributet e tij në shërbimin ushtarak të gjithë atyre ushtarakëve që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë me burgim. Konkretisht, neni 27 “Përjashtimi nga përfitimi” përcakton: “Nga ky ligj nuk përfitojnë ushtarakët e nxjerrë në lirim për shkak se janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim, për krime të kryera me dashje”. Ndërkohë që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë gjykuar se ky pension mund t’u mohohet vetëm atyre ushtarakëve që kanë kryer një vepër të rëndë penale në dëm të atdheut, dhe jo çdo vepër tjetër penale. Deri tani, dy nenet e mësipërme janë të vetmet për të cilat Kushtetuesja ka marrë një vendim. Ndërsa përsa i përket pjesës tjetër të kërkesave të ish-ushtarakëve, duket se ato nuk do të pranohen, kjo edhe për faktin se kanë një kosto të lartë financiare.
Burime zyrtare nga Gjykata Kushtetuese bëjnë të ditur se nëntë anëtarët e saj kanë filluar punën për zbardhjen e vendimit në mënyrë të plotë, çka nënkupton edhe paraqitjen e argumenteve për çdo nen të ligjit të miratuar në maj të vitit të kaluar nga qeveria. Sipas të njëjtave burime parashikohet që vendimi i plotë i Gjykatës për ligjin “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi dhe të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të shpallet zyrtarisht brenda këtij muaji.

Përfitimet që rrëzohen nga ligji i ri
1. Është rritur koha e vjetërsisë në shërbim për efekt të përllogaritjes së përfitimeve. Sipas ligjit të ri, viti i shërbimit njihet vetëm kur është vit i plotë. Ndërsa sipas ligjit të mëparshëm, në çdo rast, periudha 6 muaj e 1 ditë quhet vit i plotë.
2. Është ulur masa e pagës referuese, e cila është bazë për llogaritjen e përfitimeve nga ligji. Sipas të ligjit të ri, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion. Ndërsa sipas ligjit të mëparshëm, paga referuese është paga bazë mujore së bashku me shtesat me karakter të përhershëm që përfitonte punonjësi në çastin e ndërprerjes së karrierës, por jo më e vogël se paga që ka përfituar në muajin e fundit kalendarik të shërbimit.
3. Është shtyrë koha për fillimin e trajtimit financiar me pagesë kalimtare të punonjësve të policisë. Sipas ligjit të ri, pagesa kalimtare fillon pas dy muajsh nga koha që ai nxirret në rezervë apo lirim domethënë në muajin e tretë nga data e nxjerrjes në rezervë apo lirim. Ndërsa sipas ligjit të mëparshëm, trajtimi financiar me pagesë kalimtare fillonte nga data e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare domethënë menjëherë pas nxjerrjes në rezervë apo lirim.
4. Është ulur koha maksimale e trajtimit me pagesë kalimtare. Sipas ligjit të ri, ajo është bërë deri në 24 muaj (dy vjet), ndërsa sipas ligjit të mëparshëm, koha maksimale e trajtimit me pagesë kalimtare ishte deri në tre vjet.
5. Është ulur masa e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Sipas ligjit të ri, pensioni i parakohshëm për personat që plotësojnë kushtet e përfitimit, është 50% e pagës mesatare referuese mujore. Ndërsa sipas ligjit të mëparshëm ajo ishte 50% e pagës referuese, ku paga referuese është paga bazë mujore së bashku me shtesat me karakter të përhershëm, që përfitonte punonjësi në çastin e ndërprerjes së karrierës, por jo më e vogël se paga që ka përfituar në muajin e fundit kalendarik të shërbimit.
6. Është hequr përfitimi për shpenzimet e varrimit dhe ndihma e menjëhershme për pjesëtarët e familjes së punonjësit të policisë që nuk është në detyrë në rast vdekje. Sipas ligjit të ri, këtë të drejtë e përfitojnë pjesëtarët e familjes së punonjësit të policisë që humb jetën në detyrë apo për shkak të detyrës, domethënë kur ai është në detyrë (punë). Ndërsa sipas ligjit të mëparshëm, këtë të drejtë e përfitonin jo vetëm familjarët e punonjësit aktiv të policisë, por edhe familjarët e punonjësit të policisë në dispozicion, të pezulluar, me pagesë kalimtare, në pension, student, kursant ose ushtar.

20 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›