E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat e legalizuara, probleme me aktin e pronësisë



Laureta Rryçi

Shumë prej familjeve që kanë marrë lejet e legalizimit nuk u kanë mbaruar të gjitha telashet për të marrë aktin e pronësisë. Burime nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme pohojnë se disa prej dosjeve të mbërritura nga ALUIZNI janë rikthyer në këtë zyrë për shkak të mospërputhjes së disa të dhënave. Kryesisht problemi qëndron në të dhënat që janë marrë nëpërmjet fotove dixhitale, të cilat, me sa duket, nuk përputhen me të dhënat që kanë hartat që janë në arkivin e zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Ky fenomen është vënë re pothuajse në të gjitha qytetet ku ka pasur prona të legalizuar muajt e fundit, por më së shumti është në Tiranë dhe sidomos në Durrës. Këtyre qytetarëve, që u rezulton dosja me një problem të tillë, u vonohet më tepër procesi i marrjes së aktit të pronësisë. Ndërsa për pjesën tjetër ndiqet procedura që është përcaktuar falë një udhëzimi të posaçëm të firmosur nga kryeregjistruesi.
Procedura
Ata që kanë probleme me dosjen shkojnë dhe interesohen sërish për dosjen e tyre te ALUIZNI. Specialistët e kësaj zyre përputhin të dhënat dhe bëjnë shënimet e duhura në dosje, më pas e ridërgojnë dosjen për të marrë aktin e pronësisë në Hipotekë. Ndërsa për ato dosje që janë me të dhëna të rregullta, u mbetet vetëm të ndjekin procedurën në Hipotekë për të marrë certifikatën e pronësisë, çka nënkupton fundin e procesit. Në këtë pikë, Agjencia e Legalizimit dërgon, sipas një kalendari, dosjet e familjeve të legalizuara dhe pas hyrjes në procedurë, jo më vonë se 15 ditë, miratohet akti i pronësisë nga ZRPP-ja. Udhëzimi i miratuar parashikon regjistrimin e lejeve të legalizimit në të gjitha rastet që mund të shfaqen. Qytetarët, të cilët kanë marrë lejen e legalizimit, nuk duhet të nguten për të shkuar në Hipotekë për marrjen e certifikatave të pronësisë. Në bazë të udhëzimit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në bashkëpunim me Agjencinë e Legalizimeve, do të shqyrtohen dosjet një për një në bazë të një kalendari të përcaktuar. Agjencia e Legalizimeve, në një moment të caktuar njofton kryefamiljarin për nisjen e dosjes në ZRPP, e cila brenda një harku kohor prej 15 ditësh miraton dosjen dhe lëshon certifikatën e pronësisë. Nga ana tjetër, familjarët që janë në proces legalizimi s’duhet të shqetësohen duke mbledhur dokumentacionin, pasi për këtë do të veprojë vetë Agjencia e Legalizimit. Në lidhje me këtë ekziston një kalendar ku për lejet e legalizimit, pasi janë bërë pagesat e duhura që kërkohen me ligj në Agjencinë e Legalizimeve, përgatitet dosja me të gjitha dokumentet dhe shkon në ZRPP.
Dokumentet
“ALUIZNI plotëson dokumentacionin tekniko-ligjor të nevojshëm për procedurat përkatëse për regjistrimin fillestar të objektit pa leje, të pajisur me leje legalizimi, si dhe regjistrin e parcelave ndërtimore sipas të dhënave në kartelën e pasurisë së paluajtshme, në përputhje me listën e emrave të pronarëve të objekteve pa leje, që përfshihen në zonën informale/bllok-banimin informal/ndërtimet informale të veçuara, të grupuara në bazë të zonës kadastrale, ku ndodhen, sipas modelit 1 që i bashkëlidhet këtij vendimi",- thuhet në vendimin e qeverisë në lidhje me këtë çështje. Sipas tij, procedura parashikon që ALUIZNI të mbushë formularin me të dhënat e lejes së legalizimit të objektit pa leje; gen-planin e objektit, të hartuar si hartë treguese, miratuar nga drejtoria rajonale ALUIZNI-t; hartën treguese të regjistrimit, ku përcaktohen kufijtë e pasurisë për secilin objekt. Plotësimi i këtyre detajeve bëhet brenda një afati prej 15-ditor nga paraqitja e kërkesës, jepet informacion i plotë, me të gjitha përshkrimet e nevojshme, për plotësimin e këtyre rubrikave. Drejtoria rajonale e ALUIZNI-t, duke shfrytëzuar informacionin e regjistruar gjatë etapave të mëparshme të procesit të legalizimit, bën plotësimin e mëtejshëm të bazës së të dhënave, në format manual dhe dixhital, si dhe krijon bazën e të dhënave të pasurisë, sipas treguesve të kartelës së pasurisë së paluajtshme dhe të regjistrit të parcelave ndërtimore.
Në përfundim të plotësimit të bazës së të dhënave, drejtoria rajonale kryen procedurat përkatëse të verifikimit të saktësisë së këtyre të dhënave. Kur rezultojnë pasaktësi në hartën treguese të pasurive ekzistuese, të regjistruara, ose mbivendosje me pasuritë e legalizuara, ALUIZNI njofton ZVRPP-në, e cila, në përputhje me nenin 17 të Ligjit Nr.7843, datë.13.7.1994 "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme", të ndryshuar, bën korrigjimet e nevojshme në HTR-në përkatëse.

DETYRAT E HIPOTEKËS

ZVRPP-ja, brenda një periudhe prej 15 ditësh nga marrja në dorëzim e dokumentacionit të përcaktuar në pikën 6.1 të këtij vendimi, verifikon saktësinë e të dhënave të kartelës së pasurisë së paluajtshme, të legalizuar, dhe kryen procedurat për ligjërimin e regjistrimit fillestar për ndërtimet pa leje, të pajisura me leje legalizimi, në zbatim të nenit 26 të Ligjit Nr.7843, datë 13.7.1994 "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme", të ndryshuar.

DETYRAT E ALUIZNI-t

Drejtoria rajonale e ALUIZNI-t, në funksion të përmbylljes së procedurave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të legalizuara, dorëzon në ZVRPP, për çdo objekt, të gjithë informacionin e regjistruar në format dixhital, në bazën e të dhënave, si dhe dokumentacionin e mëposhtëm manual:
a) lejen e legalizimit të objektit;
b) gen-planin e objektit, të hartuar si hartë treguese, miratuar nga drejtoria rajonale e ALUIZNI-t;
c) planimetrinë për çdo kat;
ç) volumet e kartelave, sipas përcaktimeve të këtij vendimi;
d) regjistrin e parcelave ndërtimore;
dh) HTR-në e përditësuar.
7. Ligjërimi nga ZVRPP-ja, i regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të legalizuar

Ligji i ri ndryshon procedurën e shlyerjes së pagesës

Ligji parashikon dy elemente të rëndësishme përsa i përket shlyerjes së detyrimit financiar nëpërmjet përdorimit të bonove të privatizimit. Elementi i parë parashikon rastin kur parcela ndërtimore ka për funksion banimin. Në këto raste poseduesi i objektit informal mund të shlyejë 80% të detyrimit financiar duke përdorur bonot e privatizimit ose letrat me vlerë. Në rastet kur parcela ndërtimore ka funksion social ekonomik, poseduesi ka mundësi që nëpërmjet skemë së re financiare të paguajë detyrimin financiar duke përdorur letrat me vlerë për 50% të vlerës. Përsa u përket shtesave në pallate në këtë ligj parashikohen dy raste. Në rastet kur shtesa është bërë në pallatet e vjetra të para vitit 1993 dhe kur shtesa përdoret për banim, qytetari shlyen 80% të vlerës financiare me bono privatizimi. Në rastet kur shtesa është bërë në katet e para, atëherë poseduesi paguan 50% të detyrimit financiar, por vetëm për pjesën takuese, pra pjesa takuese është vetëm pjesa që i takon banorit të katit të parë. Në rast se pallati është pesëkatësh dhe pjesa që i takon atij të katit të parë është rreth 100 metra katrorë, atëherë ai do të paguajë vetëm 1/5 e sipërfaqes. Ndërsa pjesa tjetër do të paguhet nga banorët e tjerë të pallatit. Nga ky ligj nuk mund të përfitojnë pallatet e reja që kanë bërë shtesa përtej lejes së ndërtimit. Kjo kategori nuk përfiton për shkak se kanë detyrimin për të paguar taksa që më pas i shkojnë pushtetit vendor, siç është taksa e ndikimit në infrastrukturë për të cilën nuk mund të përdorin letrat me vlerë, por shlyerja e detyrimeve duhet të bëhet me para kesh.

20 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›