E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria rrit taksat për ambalazhet e ushqimeve, pritet rritje çmimesh



Kuvendi ka miratuar një ligj që rrit akcizat për disa produkte dhe njëkohësisht fut për herë të parë në listë produkte të reja, kryesisht ambalazhet dhe gomat e automjeteve. Masat e reja që propozon qeveria janë pritur me rezerva edhe nga vetë deputetët e mazhorancës. “Është një akcizë e madhe, ambalazhi është gjerësisht i përhapur në popullatë dhe do të ndikojë drejtpërdrejt”,- tha deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara. Në të njëjtin ligj qeveria heq akcizën për disa mallra luksi, duke lehtësuar kryesisht barrën e individëve me të ardhura të larta, por në të njëjtën kohë lë në fuqi, akcizën për disa mallra të konsumit të gjerë. Vetëm me këtë ligj qeveria u merr konsumatorëve 40 milionë dollarë në vit, të cilët do të duhet të paguajnë çmime më të larta. Dhe pesha e akcizës në çmim nuk është e vogël, 5 për qind apo 20 për qind e çmimit. Një ditë më parë qeveria ndryshoi skemën e taksimit të automjeteve të përdorura duke futur taksa të konsiderueshme shtesë, gjithmonë nën argumentin e mbrojtjes së mjedisit.

Investimet në energjetikë, çdo leje kalon nga Qendra e Licencave

Çdo leje apo licencë që nevojitet për investime në fushën e energjisë, do të kalojë në sportelin unik të Qendrës Kombëtare të Lejeve dhe licencave. Lajmi është bërë publik dje nga kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë. Ky është vendimi që është marrë dje nga qeveria duke miratuar ngritjen e sportelit të vetëm, “one stop shop”, për lejet dhe licencat në fushën e energjisë. Kryeministri Berisha theksoi se ky vendim është një hap i rëndësishëm për thjeshtimin dhe lehtësimin e pajisjes së investitorëve me leje dhe licenca, në fushën e energjisë. “Një numër i madh lejesh dhe licencash që nevojiten për investime në fushën e energjisë, kalojnë që të gjitha në sportelin unik, në Qendrën Kombëtare të Lejeve dhe Licencave, e cila shënon një sukses të vërtetë që brenda vitit të parë të ‘jetës’ së saj”,- tha Berisha. Ai shtoi se gjatë dy muajve të fundit, Ministria e Ekonomisë ka rishqyrtuar të gjitha procedurat ligjore dhe nënligjore dhe me këtë vendim procedurat thjeshtohen më tepër. Në fushën e investimeve në energjetikë, kryeministri Berisha informoi se janë nënshkruar 200 kontrata për ngritjen e HEC-eve dhe se do të shtohen burimet e energjisë.

20 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›