E Diel, 1 Nëntor 2026

Financat nuk do të rrisin kufirin e pagës minimale, ja arsyet



Ervin KOÇI

Ministria e Financave ka vendosur që të mos e rrisë kufirin e pagës minimale i cili u diskutua për të qenë 21 mijë lekë në muaj nga 18 mijë që është aktualisht. Kjo tërheqje nga vendimi ka ardhur pasi ligji parashikonte që në rast se rritet kufiri i pagës minimale në muaj, duhet që paralelisht të bëhet dhe rritja e pagesave të asistencës dhe përkrahjes sociale, për shtresat në nevojë. Por një rritje e tillë, do t’i kërkonte qeverisë një shtesë në buxhet në miliona lekë, në një kohë që Financat këtë fond duhet ta merrnin nga pjesa e sigurimeve shoqërore që do të rriteshin nga kontributet që do të shtoheshin nga pagesat për pagën minimale. Niveli mesatar i ndihmës së pjesshme ekonomike është 3.150 lekë, ndërsa niveli i ndihmës ekonomike të plotë është 3.900 lekë. Niveli bazë i pagesës së papunësisë me VKM Nr. 631, datë 11.06.2009 është 6.340 lekë. Kështu, duke llogaritur se fondi për asistencat dhe përkrahjet sociale ishte më i madh nga ai që mblidhej nga kontributet për rritjen e pagës minimale, bëri që Financat ta tërhiqnin draftin nga komisionet parlamentare me pretekstin për ta riparë. Burime pranë grupit të punës thanë se varianti parë i propozuar nga MF-ja ishte për një rritje në masën 25 mijë lekë në muaj bruto, ndërsa Këshilli i Punës mendoi ta ulë në 21 mijë lekë. Por pas diskutimeve u pa e udhës që ky projekt të tërhiqej dhe të mos diskutohej për momentin.

Debati
Aktualisht, paga minimale është rreth 18 mijë lekë, nga 11.5 mijë lekë që ishte në vitin 2005 dhe ka pësuar rritje tri herë brenda një harku kohor 4-vjeçar. Vendosja e pagës minimale bëhet për të mbrojtur shtresat sociale që punojnë me kohë të plotë, por, nga ana tjetër, shikohet me rezerva për biznesin që paguan kontributet, duke i rënduar kostot. Mbledhja e fundit që u zhvillua, u shoqërua me debate, pasi anëtarët e Këshillit Kombëtar të Punës paraqitën studimet e tyre, bashkë me propozimet, të cilat synonin të rrëzonin variantin e Financave. Gjithsesi, çdo rritje e pagës minimale sjell kosto për biznesin, sidomos atë të prodhimit të tekstileve, pra atë fason. Rritja e fundit u bë vitin e kaluar, kur qeveria sapo kishte miratuar masën e kontributeve për punëdhënësit me 5 për qind, duke krijuar në një farë mënyre balancim në arkën e shtetit. Me pagën e re të rritur, qeveria synonte të shtonte të ardhurat në arkën e saj, tashmë të zbrazur, pasi llogarit kontributet dhe taksën mbi pagë.

Efektet
Rritja e pagës minimale do të ndikojë në financat e bizneset, pra direkt te masa e fitimit, pasi do t’i duhet të paguajë më shumë kontribute për punëmarrësin. Një tjetër fenomen negativ lidhet me punësimin e të rinjve, të cilët nuk nxisin biznesin për aq kohë sa pagat minimale rriten në masën e pagave që marrin të punësuarit me eksperiencë. Gjatë tremujorit të katërt 2009, forca e punës ishte 1.042.618 persona, ndërsa shkalla e papunësisë së regjistruar ishte 13.75%. Numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat bujqësor nga tremujori i dytë 2008 deri në tremujorin e tretë 2009 ishte vlerësuar sipas Anketës së Forcës së Punës 2007 dhe për tremujorin e katërt 2009 është vlerësuar sipas Anketës së Forcës së Punës 2008. Sipas këtij vlerësimi, numri mesatar i të punësuarve në këtë sektor për tremujorin e katërt 2009 ishte 496.190. Numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor është ulur me 0.9% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Numri mesatar i të papunëve të regjistruar gjatë tremujorit të katërt 2009 ishte 143.340, ndërsa numri mesatar i të papunëve që përfitojnë pagesë papunësie ishte 10.050.

20 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›