E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet banda me motor, grabisnin me dhunë gratë

Zbulohet grupi i grabitësve të çantave, i cili ishte kthyer në një tmerr për zonën e tregut elektrik. Bëhet fjalë për dy persona, të cilët lëviznin me motor dhe grabisnin me forcë çantat e grave. Por, zbulimi i tyre nuk ka qenë i lehtë, pasi asnjë nuk arrinte t‘i njihte të rinjtë, për kapjen e të cilëve janë dashur disa ditë vëzhgime që të dokumentohet autorësia e tyre. Megjithatë, tashmë, policia, duke qenë më pranë komunitetit, ka mundur ta heqë këtë shqetësim të tyre.
Burimet policore bënë të ditur se identifikimi dhe kapja e tyre është bërë e mundur nga strukturat e Komisariatit Nr. 1, të cilëve u është dashur jo pak punë, por të vëzhgojnë mbi 100 persona, që të arrijnë të dy personat e arrestuar. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, në pranga kanë përfunduar Erton Hykollari, 19 vjeç, i cili mendohet se ka qenë ideatori i këtij aktiviteti kriminal dhe bashkëpunëtori i tij, Forcim L., 17 vjeç. Nga uniformat blu mësohet se pas ndodhjes së disa grabitjeve të njëpasnjëshme në zonën e tregut elektrik nisi një hetim intensiv për kapjen e këtyre dy personave të dhunshëm. Kështu, disa gra denoncuan në polici se po u merreshin çantat me forcë nga dy të rinj, të cilët lëviznin me një motor "Papaq".
Menjëherë, grupi i punës nga Komisariati Nr. 1 vlerësoi ngjarjen dhe arriti të konkludonte se 2 protagonistët lëviznin në orët e mbrëmjes. Ata hynin nëpër rrugica me motor dhe pasi pikasnin ndonjë grua, i afroheshin duke i rrëmbyer çantën e dorës me forcë. Në atë kohë largoheshin me shpejtësi dhe pavarësisht se gruaja kërkonte ndihmë, nuk kishte kush ta ndihmonte. Në këto kushte, drejtuesit e komisariatit shtuan shërbimet e agjentëve në terren, por sërish nuk po binin në gjurmët e tyre. Më pas, grupi i hetimit kaloi disa agjentë me motorë për të qëndruar në lagje, derisa të arrinin në identifikimin e autorëve të dyshuar të ngjarjes. Megjithatë, kjo u kuptua shpejt prej të dyshuarve dhe për një periudhë kohe u zhdukën. Policia filloi të shoqërojë të dyshuar të ndryshëm, numri i të cilëve arriti mbi 100 veta, por vetëm dyshja e fundit, rezultuan të ishin të vërtetët.
Ata janë shoqëruar paraditen e së shtunës, por deri në orët e mbrëmjes nuk ishte dokumentuar implikimi i tyre. Më vonë, ata kanë pranuar akuzat dhe kanë treguar edhe gjithë mekanizmin. Sipas policisë, 17-vjeçari i jepte motorit, ndërsa Hykollari, duke qenë më i madh dhe më i fuqishëm, tërhiqte me forcë çantat e grave. Më pas, ata largoheshin nëpër rrugica dhe shkonin në banesën e njërit ose tjetrit, për të parë se çfarë kishin çantat. Paratë e grabitura i harxhonin në një lokal në lagje, ndërsa celularët i shisnin nën dorë dhe jo në treg, pasi e ndjenin frikën se mund të ishin të vëzhguar. Kur mblidhnin më shumë para, ata i shpenzonin në lokalet e natës.
Sipas të dhënave policore, deri tani, dy të arrestuarve u janë dokumentuar tri grabitje me dhunë, por dyshohen për shumë të tjera. Sipas të dhënave policore, ata dyshohen se mund të kenë kryer grabitje edhe në zona të tjera dhe për dokumentimin e tyre po punohet nga ana e grupit hetimor. Burimet policore të kryeqytetit shpjeguan se më 7 tetor, këta dy persona kanë grabitur pronaren e një dyqani. Sipas të dhënave hetimore, në Komisariatin Nr. 1 është paraqitur Lejla B., 45 vjeçe, e cila ka deklaruar se rreth orës 22.00 të asaj date, në rrugën "Shyqyri Ishmi", dy persona me një motor "Papaq" i kanë marrë një çantë me një celular dhe një palë çelësa të dyqanit.
Veç këtyre dy rasteve, në Komisariatin Nr. 1, rreth orës 20.00 të datës 5 tetor është paraqitur Arta A., 50 vjeçe, e cila ka denoncuar se rreth orës 17.00 të datës 3 tetor, në rrugën "Mihal Grameno", dy persona që lëviznin me motor, i kanë vjedhur çantën me 20 mijë lekë. Gjithashtu, policia tha se rreth orës 22.30 të datës 5 tetor, në Komisariatin Nr. 1 është paraqitur Prena N., 60 vjeçe, e cila ka denoncuar se është grabitur me dhunë nga dy persona. Sipas denoncimit të saj, në afërsi të tregut elektrik, pikërisht rreth orës së lartpërmendur, i janë afruar me një motor. Ata i kanë tërhequr çantën me forcë, e ajo pavarësisht se është munduar të mbrojë pronën e saj, ata e kanë shtyrë, e janë larguar me shpejtësi, duke i marrë paratë dhe celularin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›