E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët e Nënshkodrës kërkojnë ndihmë: Rrezikojmë edhe jetën

Shirat e rënë ditë e fundit kanë krijuar përmbytje të mëdha dhe në Qarkun e Shkodrës. Bëhet fjalë kryesisht për përmbytje tokash bujqësore. Më problematike paraqitet situata në zonën e Nënshkodrës, pikërisht në fushën midis Torovicës, Malit të Jushit, deri tek ura e Ded Gjo Lulit në Velipojë, ku përveç disa banesave që gjenden të rrethuara nga uji, janë plot 300 hektarë tokë të përmbytura.

Banorët e zonës japin alarmin se gjenden të rrezikuar me jetë dhe qëndrojnë zgjuar gjatë gjithë natës nga frika e përmbytjeve. Shkurte Pali, banore e zonës në hyrje të Torovicës thotë se "jetojmë me frikën se mos uji na zë natën brenda dhe mbytemi. Ka një javë që nuk flemë dhe të gjitha pajisjet e shtëpisë i kemi dërguar te të afërmit. Aktualisht, shtëpia është e rrethuar me ujë dhe nëse shirat vazhdojnë, uji futet brenda. Nuk kemi asnjë ndihmë deri tani. Nuk ka ardhur njeri të na shikojë. Toka e mbjellë është përmbytur dhe nuk kemi as ku të kullotim bagëtitë. Kërkojë që shteti të ndërhyjë tani, se kur të ndodhë tragjedia nuk ka pse të vijë më njeri të na qajë hallin".

Sipas banorëve, dëmi i shkaktuar është shumë i madh, pasi çdo prodhim i pritshëm nga toka e tyre është shkatërruar.

Situata më e vështirë nga përmbytjet duket në fushat nga Mali i Jushit deri në Komunën Velipojë, ku janë rreth 300 hektarë tokë nën ujë. Nga kjo situatë e krijuar, jeta e fshatarëve të zonës është paralizuar, pasi çdo gjë është e lidhur me tokën, madje as bagëtitë tashmë nuk kanë me çfarë të ushqehen, pasi çdo gjë është e mbuluar nga uji. Shkak i kësaj situate, si gjithnjë mbeten bllokimet e kanaleve kulluese dhe mos mirëmbajtja e tyre. Deri dy dekada më parë, në këtë zonë funksiononin mjaft mirë kanalet kulluese dhe nuk kishte probleme përmbytjeje, por prej 20 vitesh përmbytjet janë kthyer në normalitet të përvitshëm.

A.Hoti

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›