E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi: Ja cilat struktura do trajtoheshin me ushqim

Vendimi i qeverisë për vaktin e ushqimit nuk është vetëm për pesëmijë punonjësit e policisë, por edhe për një sërë strukturash të tjera policore, që sot trajtohen me tri vakte ushqim, me disa probleme më të vogla. Megjithatë, askush nuk e parë dhe shumë efektivë nuk e dinë se ekziston një vendim qeverie i tillë me gjithë urdhrat, por që nuk zbatohet nga organet kompetente. Kështu, shkeljet janë pothuajse për të gjitha grupet e interesit në polici dhe jo vetëm për 5 mijë uniforma blu.
Bazuar në vendimin e qeverisë, në urdhër është deklaruar që të drejtën e trajtimit me ushqim pa pagesë me tri vakte e përfitojnë punonjësit e forcave speciale në repartin RENEA, RESI, njësia e negociatorëve, antieksploziv, njësia e helikopterëve (pilotët, tekniku i helikopterit, kur merr pjesë drejtpërdrejt në fluturim, grupi inxhiniero-teknik gjatë ditëve që merr pjesë në sigurimin e fluturimeve) dhe çdo strukturë tjetër që me akte normative njehsohet me ta. Gjithashtu, të njëjtat përfitime kanë edhe grupet e FNSH-së, reparti Delta Forcë, mjetet lundruese dhe çdo strukturë tjetër që njehsohet me ta. Veç tyre, me tri vakte duhet të trajtohen edhe punonjësit e policisë, që për nevoja të plotësimit të detyrës, janë në gatishmëri. Po ashtu, i njëjti trajtim ndiqet me studentët dhe kursantët në shkollat e policisë, kursantët që trajtohen në institucione të tjera të policisë, shtetasit e huaj që hyjnë ilegalisht në territorin e Shqipërisë, deri në sqarimin e pozitës së tyre dhe gjithë shtetasit, qoftë të huaj ose shqiptarë, të cilët qëndrojnë në ambientet e komisariateve deri në dërgimin e tyre në ambientet e paraburgimit. Madje, është cilësuar se trajtimi me ushqim pa pagesë në tri vakte sipas kësaj pike bëhet vetëm për ditët efektive të punës, që përllogariten 22 të tilla në muaj, kur nuk ka festa zyrtare.
Megjithatë, të gjitha këto grupe të trajtuara në pikën 1 të urdhrit të ministrit të Brendshëm, vazhdojnë të kenë trajtim, por problemi qëndron në grupin tjetër, që cilësohet në pikën 2 të urdhrit. Sipas saj, të drejtën e trajtimit me ushqim pa pagesë me një vakt për ditët efektive të punës e përfitojnë të gjithë punonjësit e policisë, të cilët nuk trajtohen me ushqim sipas pikës 1, që cilësohet më lart. Gjithashtu, të njëjtin përfitim kanë edhe punonjësit e policisë, të cilët shërbejnë në strukturat e trajtuara në pikën 1, por që nuk e kanë statusin e strukturës që shërbejnë. E gjitha kjo nuk është trajtuar, pavarësisht se shkakton një dëm në qindra milionë lekë. Madje, në një tjetër pikë të urdhrit deklarohet se kompensimi i ushqimit në vlerë (lekë) për rastet kur në strukturat e Policisë së Shtetit mungon infrastruktura e gatimit, bëhet për të gjithë punonjësit e policisë.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›