E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi, Dondollaku ndahet nga Aldo Bare

"Banda e Lushnjes"


TIRANË- Pas 20 muajve zvarritje të procesit gjyqësor në ngarkim të krerëve të "bandës" së Lushnjës, Alfred Shkurti e Enver Dondollaku, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi ndarjen e tyre për t'u gjykuar veçmas nga njëri-tjetri.


Shkak për këtë ndarje, u bë kërkesa e përfaqësuesit ligjor të interesave të të pandehurit Enver Dondollaku, avokat Vladimir Meçe, që kërkoi nga togat e zeza aplikimin e gjykimit të shkurtuar për klientin e tij në këtë proces gjyqësor.


Pas kësaj kërkese, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Luan Hasneziri u tërhoqën për këshillim, ku pas disa minutash kohë vendosën të pranojnë kërkesën e avokatit Meçe, duke vazhduar kështu gjykimin e Dondollakut në aplikim të procedurave të përshpejtuara.


Ndërkohë, gjykimi ndaj të pandehurit Alfred Shkurti i njohur ndryshe si Aldo Bare do të vazhdojë të gjykohet veçmas nga një trup tjetër gjykuese, që pritet të caktohet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi gjyqtarët e Gjykatës së Krimeve të Rënda janë konsumuar në gjykimin e të pandehurve të tjerë që kishin lidhje me "bandën".


Kështu, togat e zeza të kësaj gjykate, pas pranimit të kërkesës për gjykimin e Dondollakut në aplikim të procedurave të përshpejtuara ku automatikisht e shpëton nga dënimi me "burgim të përjetshëm" dhe ndarjes së dosjes mes tij dhe Bares, ia dha fjalën prokurorit të çështjes për të lexuar kërkesën për gjykim.


Sipas prokurorit, i pandehuri Dondollaku që ndodhet në qelitë e burgut në Milano duke vuajtur dënimin me 16 vjet burg, gjatë periudhës kohore 1997-2003 në Shqipëri në kuadër të "bandës" së Lushnjës ka marrë pjesë dhe ka kryer një sërë veprash të rënda penale.


Sipas kërkesës për gjykim, që "Shekulli" ka siguruar një kopje, thuhet se i pandehuri Enver Dondollaku në bashkëpunim me "shokët e bandës" ka kryer vrasjen e shtetasve Xhevat Demiri, Nimet Zenelit, Masar Aliu dhe Idajet Beqirit, ndërsa, ka plagosur Gramoz Selmanin dhe Masar Aliun.


Përveç këtyre akuzave, i pandehuri Dondollaku ka konsumuar edhe shkatërrimin e pronës me zjarr ndaj banesës së shtetasit Shkëlqim Haxhiu dhe vjedhjen me dhunë të të vrarit tashmë Bakli Taullai.


Për të provuar të gjitha këto akuza, sipas prokurorisë, do të pyeten para gjykatës 122 dëshmitarë, mes tyre tre persona me status të Zyrës për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë.

AKUZAT


Enver Dondollaku, akuzohet për:
"Pjesëmarrje në organizatën kriminale";
"Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale";
"Vrasjes me paramendim" të shtetasit Xhevat Demiri me 3 gusht 1997
"Vrasjes me paramendim", të mbetur në tentativë ndaj Gramoz Selmani dhe Masar Aliu më 13 shkurt 1998

"Vrasjes me paramendim" të shtetasit Nimet Zenelit më 13 shkurt 1998
"Vrasjes me paramendim" të shtetasit Masar Aliu më 22 shkurt 1998
"Vrasjes me dashje" të shtetasit Idajet Beqiri më 22 shkurt 1998
"Shkatërrimit të pronës me zjarr" të banesës së shtetasit Shkëlqim Haxhiu në gusht 1998
"Vjedhjes me dhune", në dëm të shtetasit Baki Taullai (tashmë i vrarë) dhe
"Mbajtjes pa leje të armëve luftarake".


Aldo Bare, akuzohet për:
"Krijim të Organizatës kriminale";
"Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale";
"Vrasjes me paramendim" të shtetasit Genci Kashari;
"Vrasjes me paramendim" të shtetasit Xhevat Demiri;
"Vrasjes me paramendim" të shtetasit Nimet Zenelit;
"Vrasjes me paramendim" të shtetasit Masar Aliu;
"Vrasjes me paramendim", të mbetur në tentativë ndaj shtetasve Gramoz Selmani dhe Masar Aliu;
"Vrasjes me paramendim" të mbetur në tentativë të shtetasit Artur Daja;
"Shkatërrimit të pronës me zjarr" të banesës së shtetasit Shkëlqim Haxhiu dhe
"Mbajtjes pa leje të armëve luftarake".

APELI
Kthehen për rigjykim "vrasësit" e policëve të Krujës


TIRANË- Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në kryeqytet, vendosi dje të prishë vendimin e Shkallës së Parë dhe të rikthejë për gjykim tre të pandehurit e akuzuar për vrasjen e dy policëve të Krujës gushtin e 1997.


Sipas vendimit të togave të zeza, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e cila i ka dënuar me burgim të përjetshëm dy të pandehurit Sokol Halilaj dhe Gramoz alias Dritan Rexhepi si dhe me 25 vjet burg bashkëpunëtorin e tyre Shefqet Seferi, ka shkelur rëndë Kodin e Procedurës Penale.


Kjo shkelje procedurale, sipas vendimit ka të bëjë me mos njoftimin e të pandehurit Gramoz alias Dritan Rexhepi, i cili duhej të lajmërohej për fillimin e gjyqin ndaj tij, edhe pse ishte arrestuar në Spanjë dhe më pas është ekstraduar në Itali, njoftimi për gjyqin duhet të ishte bërë.


Ky vendim është dhënë dje, pa i hyrë fare në shqyrtim provave dhe materialeve të administruara në dosje gjatë fazës hetimore dhe fazës gjyqësore. Sipas akuzës, të pandehurit Sokol Halilaj e Gramoz alias Dritan Rexhepi, janë ekzekutorët kryesore të dy efektivëve të policisë së Krujës Arben Keqi dhe Durim Kasmi mëngjesin e 27 gushtit të vitit 1999 në Krujë, ku mbeti i vrarë edhe një kalimtar rasti, shtetasi Raim Bakiasi.


Të dy të pandehurit janë cilësuar fajtorë për kryerjen e kësaj vrasjeje të trefishtë, të cilën sipas vendimit e kanë bërë për llogari të bashkëpunëtorit që është dënuar me 25 vjet burg Shefqet Seferi. Roli i të cilit ka qenë si ndërmjetësues mes dy vlonjateve "vrasës" dhe personit të paidentifikuar që ka paguar për eliminimin e dy policëve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›