Detyroi gruan të vetëvritet, vetëvaret në qeli
Besnik Hasa, 44 vjeç, u vetëvar dje me çarçaf të cilin e lidhi në hekurat e dritares së qelisë së tij, kur shoku i qelisë ishte në Gjykatë
Viktima ishte arrestuar në janar, me akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes së bashkëshortes së tij
TIRANË - Vetëvaret në kangjellat e dritares së qelisë së burgut i akuzuari për shtyrjen e bashkëshortes në vetëvrasje. Besnik Hasa, 44 vjeç, banues në Bathore i dha fund jetës së tij dje në mëngjes, duke u vetëvarur me çarçafin e tij të cilin e lidhi në hekurat e dritares së qelisë.
Shkak për vetëvrasjen dyshohet se ka shërbyer gjendja e tij e rënduar psikologjike, për shkak se disa muaj më parë gruaja e tij, Elisabeta u vetëvra, ndërsa ai ishte personi i akuzuar për shtyrjen e saj në vetëvrasje.
Ai është gjetur nga oficeri i rojes së policisë së burgut 313, ose siç njihet tashmë "Jordan Misja". Menjëherë ai është nisur në drejtim të spitalit ushtarak në Tiranë pasi ishte gjetur me puls dhe me jetë, nga efektivët, por nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur atje.
I paraburgosuri është parë fillimisht nga oficeri i rojës i cili ka konstatuar se Hasa kishte kryer aktin e vetëvarjes dhe ka ndërhyrë për t'i dhënë ndihmën e shpejtë. Në këtë mënyrë ai ia doli mbanë për herë të tretë të vetëvritej, pasi edhe më parë kishte tentuar të kryente një veprim të tillë në ambientet e spitalit të burgut ku trajtohej.
Punonjësit e Burgut 313 sapo e kanë gjetur të varur në dhomë e kanë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, por Besnik Hasa ka ndërruar jetë 15 minuta pas mbërritjes në Spitalin Ushtarak.
Sipas burimeve nga Burgu 313 viktima kishte tentuar dhe dy herë të tjerë të vetëvritej, me pretendimin se nuk donte të jetonte më pas asaj që kishte ndodhur me bashkëshorten e tij.
I paraburgosuri qëndronte në një qeli me Afrim Hasanin, vrasësin e dy policëve nga Kukësi, i cili dje kishte lënë qelinë e paraburgimit për t'u paraqitur në gjykatë. Këtë moment ka shfrytëzuar 44- vjeçari Hasa për t'i dhënë fund historisë së tij.
Pas largimit të shokut të tij të dhomës për gjykim. Në këtë moment rreth orës 11- të së premtes viktima ka marrë çarçafin duke e lidhur në kangjellat e dritares, ndërsa ai është gjetur i varur rrëzë murit.
Pasi ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak, trupi i Hasës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të përcaktuar nëpërmjet autopsisë shkaqet e vdekjes së tij.
Ekspertët mjeko- ligjorë kanë konkluduar se vdekja e 44- vjeçarit i paraburgosur ka ardhur nga asfiksia mekanike, e shkaktuar nga shtrëngimi i çarçafit rreth qafës.
Sipas burimeve zyrtare nga burgu, babai i katër fëmijëve kishte tentuar dhe herë të tjerë për t'i dhënë fund jetës, në Burgun 302 dhe në spitalin e Burgjeve, por pa arritur që ta çojë deri në fund planin e tij pasi ishte zbuluar nga punonjësit e burgut.
Mos prania e asnjë personi tjetër në dhomë, ka bërë që i paraburgosuri që priste të shkonte në gjykatë t'i japë fund jetës. Sipas të dhënave, Hasa kishte paraqitur dhe më parë shenja të një depresioni dhe shpesh kishte shfaqur shenja pendese për atë që kishte ndodhur në familjen e tij.
Besnik Hasa ishte arrestuar në fillim të muajit janar, me akuzën e shkaktimit të vetëvrasje ndaj bashkëshortes së tij dhe priste të dilte para gjykatës për të marrë dënimin. Ngjarja për të cilën akuzohej viktima ndodhi natën e 6 janarit të vitit 2009 në familjen Hasa në periferi të kryeqytetit.
Sipas burimeve të Policisë së Tiranës pas konflikteve të vazhdueshme të çiftit, në një moment grindjeje Besniku e ka detyruar gruan e tij Elisabeta që t'i japë fund jetës. Pas urdhrit të bashkëshortit të saj, 27- vjeçarja nuk ka hezituar dhe në mesnatën e 6 janarit, duke u gdhirë është vetëvarur me litar në dhomën e përbashkët të çiftit.
Policia arrestoi menjëherë pas vdekjes së 27- vjeçares, bashkëshortin e saj i dyshuar si i implikuar në vdekjen e Elisabetës. Prokuroria e kryeqytetit pas hetimit pesë mujor dërgoi dosjen penale në ngarkim të Besnik Hasës në Gjykatën e Tiranës që më 23 prill të këtij viti.