Grevë urie në 7 burgje greke, shqiptarët: Na diskriminojnë
GREQI - Diskriminimi, lejet shpërblyese, çmimet e larta të ushqimeve dhe ushqimi i keq, i ofruar nga institucionet e vuajtjes së dënimit në Greqi, ka bërë që rreth 1500 shqiptarë t'u bashkëngjiten në një grevë të përgjithshme urie bashkëvuajtësve të tyre helenë në 7 burgje greke. Të burgosurit grevistë pohuan dje se prej katër ditësh, të gjithë të dënuarit që vuajnë dënimet në 7 burgje që ndodhen në zonën midis Patras dhe Athinës janë përfshirë në grevë të përgjithshme urie, ndërsa numri i tyre deri ditën e djeshme sipas mediave vendase ka arritur në 3170 vetë. Të burgosurit pohuan dje se kanë përpiluar një deklaratë me kërkesat e tyre dhe ia kanë dërguar autoriteteve të burgjeve, ku kanë përmendur se arsyeja kryesore që i ka detyruar për të nisur grevën ka qenë refuzimi i lejeve shpërblyese, megjithëse ata kishin plotësuar të gjitha kriteret ligjore për ta përfituar atë. Më pas të burgosurit kanë pretenduar se ushqimi që u ofronin institucionet e vuajtjes së dënimit ishte i një cilësie të dobët, kurse ai që u ofrohej për shitje në marketet që ndodheshin brenda burgjeve kishte çmime të larta, krahasuar me çmimet reale. Ndërsa të burgosurit shqiptarë, të cilët u janë bashkëngjitur të dënuarve grekë në grevën e tyre kanë pohuar se, veç këtyre problemeve, ajo që i shqetësonte më së tepërmi ishte diskriminimi. Të kontaktuar dje nga gazeta, shqiptarë të burgosur pohuan se ata diskriminoheshin nëpër burgjet greke, ku nuk mungonin edhe rastet kur të dënuarit shqiptarë mbaheshin të mbyllur në godina të veçanta, veç bashkëvuajtësve të tyre me kombësi të tjera. Të paktën në burgun e Patras pohohet se rreth 250 shqiptarë që ndodhen aty jetojnë në një godinë të veçantë nga 8 vetë në qeli me përmasa 5 x 5 metër. Po kështu edhe në burgje të tjera shqiptarët mbahen të mbyllur nëpër sektorë të veçantë, duke mos u lejuar të bashkohen me ata grekë. Në këtë mënyrë, sipas tyre realizohet diskriminimi, pasi shqiptarëve u kufizohen disa të drejta ligjore, siç janë vizitat e mjekut, takimet me familjarët apo të afërmit, sasia e ushqimeve dhe veshmbathjeve të lejuara, koha e takimeve si dhe mjaft të drejta të tjera. Sipas tyre, përsa i përket lejeve shpërblyese, shqiptarët janë më të diskriminuarit, pasi autoritetet e burgjeve i refuzojnë hapur, duke pretenduar se nuk kanë garanci për rikthimin e shqiptarëve në vendet e vuajtjes së dënimit. Lejet, sipas të dënuarve u janë refuzuar edhe në rastet kur familjarët e tyre kanë paraqitur dokumentacionin e plotë se banojnë në zonat pranë burgjeve. fa.ma.