Hakmarrja, vritet emigranti te "Kafja e Rremës" në Tiranë
Etleva Delia
Vritet me dy plumba në afërsi të "Kafes së Rremës" në Tiranë, emigranti 38-vjeçar, i kthyer disa muaj më parë nga Greqia. Viktima është Arben Visha, nga fshatrat e Tiranës. Ai banonte në Tufinë ndërsa mbrëmë është qëlluar për vdekje me armë zjarri teksa kthehej në shtëpi. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30, në rrugën kryesore, sa kalon kryqëzimin e varrezave të Tufinës, në drejtim të Zall-Bastarit. Burime nga policia thanë se aktualisht po hetohet në dy pista kryesore. Fillimisht po verifikohet veprimtaria e viktimës gjatë kohës kur ka qenë emigrant në Angli, së fundmi, por edhe në disa shtete të tjera. Gjithashtu 38-vjeçari dyshohet se mund të ketë qenë i implikuar edhe në një krim të ndodhur në nëntor 1997, kur gruaja ka vrarë bashkëshortin e saj Njazi P. Roli i viktimës në këtë krim të ndodhur në 26 nëntor 1997 është ende i paqartë megjithatë hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për hakmarrje. Policia tha se veç këtyre dyshimeve shkaku i vërtetë i ngjarjes pritet të mësohet pas kapjes së autorit, tashmë i identifikuar. Viktima e vrasjes, Arben Visha dyshohet se ka pasur dijeni për një vrasje të ndodhur në vitin '97, për të cilën është dënuar një grua. Aktualisht ai jetonte mes Greqisë ku punonte dhe Shqipërisë ku jetonte bashkëshortja e tij me fëmijët, në lagjen Tufinë të Tiranës. Sipas burimeve nga grupi hetimor mësohet se paraprakisht ka një person të dyshuar për vrasjen. Sipas hetuesve i dyshuari si autor i krimit është Besnik D. Ai është një person me nënshtetësi angleze, madje policia tha se pranë vendit të ngjarjes ka sekuestruar edhe një pasaportë angleze me emrin e tij. I dyshuari është shpallur në kërkim ndërsa policia tha se po punon për kapjen e tij. Arben Visha është ekzekutuar me armë zjarri pistoletë, me dy plumba në trup. Ai ka humbur jetën gjatë rrugës kur transportohej për në spital. Viktima është transportuar për në Morgun e Tiranës, ku do të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore. Në vendin e ngjarjes, oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit kanë fiksuar dy gëzhoja pistolete. Sipas mjekëve ligjorë njëri nga plumbat ka kaluar pranë zemrës dhe ka qenë vdekjeprurës për viktimën. Gjatë gjithë natës, policia ka marrë në pyetje disa persona të njohur të viktimës, si dhe disa familjarë të tij.