E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zgjedhja e KLD pa ligj, vetëgjyqësi”

 

Klodian Rado, avokati i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, argumenton përse konferenca e gjyqtarëve që do të mblidhet në 5 dhjetor nuk duhet të zgjedhë anëtarët e KLD-së, pa u miratuar fillimisht ligji në Parlament. Në një intervistë për gazetën “Panorama” ai e konsideron si vetëgjyqësi një hap të tillë.
Si e komentoni konfliktin e fundit që duket se ka lindur midis gjyqtarëve rreth mbledhjes së Konferencës Gjyqësore Kombëtare?
Në fakt, s’do ta quaja konflikt, por janë dy grupe mendimesh juridike të kundërta, që u shfaqën edhe në tryezën e rrumbullakët të tre ditëve më parë. Nga një grup gjyqtarësh u hodh dhe u mbrojt ideja, që në kushtet kur Kuvendi i Shqipërisë nuk po plotëson dot 3/5 e deputetëve për shkak të mungesës së opozitës dhe në kushtet kur disave prej anëtarëve të KLD-së iu ka mbaruar mandati, atëherë do ishte më mirë që gjyqtarët të vetëmblidheshin për të zgjedhur anëtarët e KLD-së, edhe pa pritur miratimin e ligjit. Natyrisht që nga ana tjetër, kishte një grup gjyqtarësh, të cilët ishin kategorikisht kundër kësaj zgjidhjeje. Kundër kësaj zgjidhjeje ishte qartazi edhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, ku unë edhe aderoj. Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve nuk kishte dhe nuk ka si të mbajë qëndrim të ndryshëm nga ky, përderisa ishte kjo shoqatë që unanimisht e konsideroi antikushtetues ligjin e mëparshëm, sepse nuk ishte miratuar nga 3/5 e Kuvendit, por me shumicë të thjeshtë. Kështu, një shoqatë gjyqtarësh, e cila kundërshtoi ligjin e thjeshtë si antikushtetues, nuk ka se si të japë pëlqimin e saj, që Konferenca Gjyqësore Kombëtare të mund të mblidhet edhe fare pa ligj. Kjo do të ishte dyfish antikushtetuese dhe jo normale për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit që duhet të ketë një organ kushtetues siç është Konferenca Gjyqësore Kombëtare.
Po atëherë në kushtet që jemi, kur opozita duket ende larg hyrjes në Kuvend, cila do ishte zgjidhja e këtij ngërçi për Konferencën Gjyqësore Kombëtare?
Mbase s’do ta quaja ngërç. Është e vërtetë që ka një boshllëk ligjor në këtë rast, pasi Konferenca Gjyqësore Kombëtare aktualisht është pa ligj. Rreth këtij organi ka vetëm një parashikim në Kushtetutë që thotë se KGJK-ja ka detyrë të zgjedhë 9 anëtarë të KLD-së. Por fakti që organet e pushteteve të tjera, siç është Kuvendi, nuk arrijnë të kryejnë dot funksionet e tyre kushtetuese, atë të miratimit të ligjeve, kjo nuk mund të jetë çështje që mund t’i ofrohet për zgjidhje pushtetit gjyqësor. Pushteti gjyqësor, sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, është një pushtet i cili nuk ka pushtetin për të miratuar ligje, por vetëm për t’i zbatuar dhe interpretuar ato përgjatë zgjidhjes së çështjeve gjyqësore që i paraqiten. Situata e kundërt, do të ishte njëlloj sikur një ditë Kuvendi i Shqipërisë të mblidhej dhe të vendoste që, meqenëse p.sh., Gjykata e Tiranës, nuk arrin dot t’i zgjidhë në afate të shkurtra çështjet e saj për shkak të ngarkesës, disa prej tyre, ose të gjitha, të kalonin për t’u zgjidhur në Kuvend nga pushteti ligjvënës. Natyrisht që ju e kuptoni se atëherë as që do të mund flisnim për shtet të së drejtës apo parimet “check and balance”(kontroll dhe balancim) midis tre pushteteve, por për një shtet, i cili në rastin më të mirë do të ishte totalitar. Në fakt, për situatën që jemi, zgjidhja është vetëm një: Ti lejmë pushtetet të kryejnë funksionet e tyre kushtetuese, pra në rastin konkret, të presim Kuvendin derisa të miratojë ligjin për KGJK. Çdo rrugë tjetër do të ishte një vetëgjyqësi, e cila s’do i kishte aspak hije pushtetit gjyqësor. Aq më tepër që edhe kësaj situate i është dhënë zgjidhje ligjore në “Ligjin për KLD”-në. Në rast se nuk gabohem, sipas nenit 7 të këtij ligji, anëtarët e KLD-së janë të detyruar të qëndrojnë në detyrë derisa të vijnë zëvendësuesit. Kështu që aktualisht asnjë karrige gjyqtar-anëtar të KLD-së nuk është bosh, përveç dy prej të cilëve kanë hequr dorë nga kjo detyrë.
Ne ndoqëm që juve ishit në grupin e punës që u mor me hartimin e deklaratës së fundit për shtyp që doli pardje nga Gjykata e Lartë, në të cilën u bëhej thirrje të gjithë gjyqtarëve për t’u mbledhur në datën 5 dhjetor në Tiranë. Cili është qëllimi i kësaj mbledhje?
Në kushtet e situatës së krijuar, unë e thashë më sipër që me nismën e kryetares së Gjykatës së Lartë janë mbledhur dy “tryeza të rrumbullakëta” të aktorëve më të lartë të pushtetit gjyqësor. Por në “tryezën” e dytë u konkludua, që situata e krijuar është aq delikate dhe e rëndësishme për pushtetin gjyqësor, aq sa do të ishte mirë që çdo vendim që do të merrej, të mos përfshinte vetëm kryetarët e gjykatave, por të gjithë gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë, pa asnjë përjashtim. Çfarëdo që të vendoset, do të ishte shumë më demokratike që të vendoset nga vetë trupa e gjyqtarëve shqiptarë. Aq më tepër që në atë deklaratë, përveç thirrjes që i bëhej Kuvendit për të vepruar sa më shpejt me miratimin e ligjit për KGJK, do të diskutohen edhe çështje të tjera thelbësore, që shqetësojnë sot gjyqësorin shqiptar dhe mbarë publikun.
Po në rast se shumica e gjyqtarëve do të vendosnin të mbledhin KGJK pa pritur ligjin dhe mandej do të zgjidhnin anëtarët e KLD-së, qoftë në datën 5 dhjetor apo në një datë tjetër të mëvonshme, çfarë problem shikoni në këtë rast?
Kjo hipotezë që juve po ngrini, unë si gjyqtar as që dëshiroj ta kaloj nëpër mend. Sepse edhe sikur shumica e gjyqtarëve aty të vendosnin që do të procedonin me mbledhjen e KGJK-së pa pritur ligjin nga Kuvendi, ky vendim natyrisht që do të ishte haptazi antikushtetues. Sepse modalitete e organizimit dhe të funksioneve të KGJK, si një organ kushtetues, përveçse nga vetë Kushtetuta, është e domosdoshme që të përcaktohen edhe në ligjin organik. Duke vazhduar akoma më tej ne hipotezën tuaj, që dua ta theksoj, nuk më pëlqen as ta mendoj, nëse këta anëtarë të rinj të KLD-së do të zgjidheshin, do të shfaqeshin automatikisht disa problem kushtetuese dhe ligjore. Së pari, do të ishte një vendim i marrë nga një organ i cili ligjërisht ende nuk ekziston. Së dyti, verifikimi i mandatit të tyre do të duhet të bëhej nga KLD-ja aktuale, dhe natyrisht që kjo KLD do të kishte pak gjasa që të verifikonte si të ligjshëm mandatin e fituar prej tyre. Përkundrazi, parashikoj se do ta refuzonin si jokushtetues. Së treti, mjafton që subjektet e interesuara (duke përfshirë dhe KLD-në), t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese dhe mendoj që këto mandate dhe vetë mbledhja e KGJK-së do të deklarohej si antikushtetuese. Së fundi, do të kishim edhe publikisht një tjetër proces zgjedhor të dyshimtë dhe të kontestuar në sytë e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Një gjë është e sigurt. Për të gjitha shkaqet e thëna më sipër, ose edhe ato të pathëna, ndërmarrja e një procesi të tillë, nuk do t’ia rriste aspak aksionet pushtetit gjyqësor tek publiku, përkundrazi, do të ishte një tjetër minus i madh për të.

Hoxha: Mbledhja e 5 dhjetorit nuk do zgjedhë anëtarët e KLD-së
Mbledhja e gjyqtarëve që është thirrur në 5 dhjetor nuk është Konferenca Gjyqësore Kombëtare dhe si e tillë ajo nuk do të zgjedhë gjashtë anëtarët e KLD-së, katër prej të cilëve u ka përfunduar mandati dhe dy të tjerë kanë dhënë dorëheqjen. Këtë e konfirmoi dje edhe anëtari e bordit drejtues të Unionit të Gjyqtarëve, gjykatësi Gerti Hoxha, i cili deklaroi në një prononcim për mediat se mbledhja e dhjetorit nuk do ketë kompetencë për zgjedhjen e anëtarëve të rinj. “Kemi vendosur që më 5 dhjetor të organizojmë një mbledhje të gjyqtarëve, ku do të diskutohet për pavarësinë e sistemit gjyqësor, rritjen e transparencës së publikut te drejtësia dhe në mbledhjen e konferencës gjyqësore. Kjo mbledhje nuk është Konferenca Gjyqësore Kombëtare”, u shpreh Hoxha. Duke iu referuar deklaratës së përbashkët në të cilën doli trupa gjyqësore gjatë takimit të thirrur nga Gjykata e Lartë. Gjykatësi Gerti Hoxha bëri apel për një emergjencë që duhet zgjidhur sa më parë në gjyqësor. Në të njëjtën kohë anëtari i bordit drejtues të Unionit Gjyqësor deklaroi se: “Derisa çështja e konferencës gjyqësore dhe për rrjedhim e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të zgjidhet, asnjë gjyqtar nuk duhet të bëhet pre e politikes, por duhet t’i shërbejë pavarësisë së gjyqësorit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›