E Diel, 1 Nëntor 2026

Grevë urie për kutitë, ngujohen para qeverisë 22 deputetë të PS-së



Albert Gjoka

Greva e urisë në bulevardin para Kryeministrisë është lëvizja më e fundit e opozitës për të kushtëzuar kërkesën e saj për hapjen e kutive të votimit. Vendimi është marrë pas mbylljes së mitingut të mbrëmshëm, në takimin që zhvilloi Grupi Parlamentar i PS-së dhe aleatët opozitarë. “Ka mbetur vetëm një rrugë: Rezistencë dhe vetëm rezistencë për transparencë”, - tha deputeti i PS-së, Fatmir Xhafa, i cili theksoi se “Sali Berishës i ka mbetur vetëm një rrugë: të hapë kutitë”. Për realizimin e kësaj greve janë ngritur çadra në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në të cilat do të qëndrojnë të ngujuar mbi 20 të zgjedhurit socialistë, që do të shoqërohen nga të paktën 200 simpatizantë të PS-së. Krahas kësaj lëvizjeje pritet që të ketë shtrirje të protestave në të gjithë vendin, përfshirë edhe 1 Majin, ditën kur maxhoranca ka planifikuar të organizojë një miting festiv në kryeqytet. Madje, PS-ja ka përcaktuar edhe kalendarin dhe rrethet ku do të organizohen tubime, të cilat nuk do të jenë thjesht grumbullime, por do të ketë edhe radikalizim të protestave.

Grevë urie
Pas konsumimit të të gjitha mjeteve demokratike në këto 10 muaj, opozita radikalizon protestën duke bërë grevë në mjediset publike nga 22 deputetë të PS-së, të cilët do të mbështeten nga qindra e mijëra qytetarë. Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafa, bëri të ditur mbrëmë organizimin e grevës së urisë, e cila do të jetë pa afat. “Do të qëndrojmë këtu ditë e natë, në diell dhe në shi, qëndrestarë paqësorë në kauzën tonë për transparencën”, - deklaroi Xhafa. Ai shtoi: “Kërkesa jonë është e thjeshtë dhe qartë: Hapja e kutive për të bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, jo për të ndryshuar rezultatin, por për të siguruar ndershmërinë e procesit të ardhshëm zgjedhor”. “Përballë kësaj kërkese të moralshme, ligjore dhe kushtetuese, nuk do të ketë asnjë lëkundje, vetëm rezistencë paqësore”, - përfundoi deputeti i PS-së. Xhafa bëri të ditur se në mbështetje të deputetëve grevistë janë ofruar edhe rreth 200 qytetarë. Gjatë gjithë natës, me qindra simpatizantë kanë qëndruar në krah të të zgjedhurve grevistë. Një grevë e tillë me shtrirje të gjatë kohore, në mjedise publike, është e para e këtij lloji që është zhvilluar në Shqipëri.
Në muajin dhjetor PS-ja organizoi një miting 3-ditor në të njëjtin vend, por u ndërpre për shkak të festave të fundvitit dhe përmbytjeve të fillimvitit në Shkodër. Dy vjet më parë grupi i LSI-së bëri një grevë në mjediset e Kuvendit, ku deputetët kërkuan ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Ende nuk ka një reagim zyrtar të qeverisë apo Policisë së Shtetit në lidhje me radikalizmin e lëvizjes së opozitës.

Protesta kudo
Përveç grevës që do të bëhet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” opozita ka planifikuar protesta edhe në rrethe të tjera të vendit. Tubimet do të vazhdojnë edhe ditën e sotme, ku me mijëra qytetarë pritet t’u bashkohen sindikatave në marshimet që do të bëjnë me rastin e 1 Majit. Pikërisht ditën e sotme, maxhoranca ka lajmëruar zhvillimin e një mitingu festiv për Ditën e Punëtorëve. Më datë 2 maj është parashikuar për një bërë një miting në Durrës dhe në ditët në vazhdim do të ketë protesta në të gjitha rrethet e Shqipërisë.

LISTA E GREVISTËVE

Fatmir Xhafa
Besnik Bare
Enkelejda Shkreli
Artan Gashi
Ermonela Felaj
Blendi Klosi
Gazmir Bizhga
Shegushe Ligori
Fatos Tushe
Taulant Balla
Ervin Koçi
Agim Leka
Skërder Hasa
Olta Xhaçka
Armand Subashi
Piro Lutaj
Arben Ahmetaj
Asllan Dogjani
Gjovalin Kadeli
Ilir Beqja
Eltar Dedaj
Arben Malaj

Transparenca, nga mospranimi i zgjedhjeve, te rikthimi i protestës

Partia Socialiste u rikthehet sërish protestave në shkallë të gjerë, deri në grevë, pas 10 muaj përpjekjesh për transparencën e zgjedhjeve. As ndërmjetësimi i Presidentit të Republikës dhe as ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar nuk prodhuan një zgjidhje për kërkesën e opozitës që të hapen kutitë e 28 qershorit. Që pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe vendosjes së marrëveshjes në parim mes PD-së dhe LSI-së, më 5 korrik 2009, Partia Socialiste nuk ka pushuar për asnjë moment revoltën e saj, duke konsumuar të gjitha mjetet e mundshme demokratike. Humbja e betejave ligjore për rinumërim votash dhe mosnjohje të rezultateve në disa qarqe bëri që Rama ta paralajmërojë mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve që më 10 korrik. Vetëm 13 ditë më pas PS-ja kontestoi vendimin e Kolegjit Zgjedhor dhe u shpreh se nuk njeh legjitimitetin e qeverisë së re. Më 29 korrik të vitit të kaluar, Rama shpalli aksionin opozitar për hetimin e manipulimeve, protesta dhe zgjedhje të parakohshme. Fillimi i gushtit solli shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare. Socialistët lançuan në opinion disa lëvizje si ngritja e një komisioni hetimor për zgjedhjet, apo ndërmarrjen e fushatës për përgatitjen dhe dorëzimin e “dosjes së zezë” te ndërkombëtarët. Në muajin e pushimeve nuk reshtën debatet dhe akuzat për legjitimitetin e zgjedhjeve, ku u zhvilluan takime të njëpasnjëshme edhe me ambasadorët dhe përfaqësues të organizmave ndërkombëtare. Në fund të gushtit, Kongresi i PS-së vendosi të mos njohë rezultatin e zgjedhjeve, gjë që pasoi edhe me përcaktimin e kushteve për hyrjen në Kuvend dhe më pas me bojkotin e stërzgjatur thuajse 6-mujor. Edhe raportet e OSBE/ODIHR-it dhe të Këshillit të Europës nuk ndikuan në qëndrimin e opozitës.
Më 20 shtator u njoftua krijimi i Frontit Opozitar, ku u përfshinë edhe parti të djathta joparlamentare. Më 10 tetor bëhet protesta e parë në Tiranë, ku firmoset një peticion për përgatitjen e projektligjit për hetimin e zgjedhjeve dhe kërkohet hapja e kutive. 10 ditë më vonë Berisha i ofron opozitës shumicën në komisionin hetimor parlamentar. Fillimi i nëntorit shënoi lançimin e fushatës së dytë të protestave në Tiranë dhe rrethe, e finalizuar me protestën e 20 nëntorit me sloganin: “Hap kutitë, ose ik!” - më e madhja që kishte bërë opozita. Muaji dhjetor nisi me një angazhim të madh të ndërkombëtarëve, të cilët kërkuan gjetjen e kompromisit. Paralelisht, opozita organizoi dhe bëri protestën e 20 dhjetorit para godinës së Këshillit të Ministrave, e cila zgjati tri ditë. Revolta u ndërpre për shkak të festave të fundvitit dhe pushimi i protestës vijoi edhe gjatë janarit për shkak të përmbytjeve që ndodhën në Veri të vendit. Fundi i janarit legjitimoi krizën politike përmes miratimit të Rezolutës nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës. Më 13 shkurt u bë takimi i parë mes Ramës dhe Berishës. Negociatat vijuan për 10 ditë me radhë, ku ishte i pranishëm edhe një delegacion i Strasburgut. Vetëm më 25 shkurt PS-ja hyri në Kuvend duke vendosur kusht për miratimin e dy dokumenteve: të ashtuquajturin projektligj për hetimin e zgjedhjeve dhe vendimin për komisionin hetimor parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në vijim, maxhoranca refuzoi të pranojë kushtin për hapjen e kutive dhe miratoi vendimin për hetimin e zgjedhjeve pa lejuar hapjen e kutive. Deputetët e opozitës iu rikthyen sërish protestave dhe bojkotit të kushtëzuar. Tashmë kanë kaluar thuajse dhjetë muaj nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe palët janë në istikamet që ishin në fillim. PS kërkon transparencën e plotë të zgjedhjeve duke kërkuar hapjen e kutive, ndërsa PD-ja, që humbi shansin e kompromisit me PS-në në Kuvend, thotë se nuk hetohen zonat zgjedhore për të cilat ka një vendim nga gjykatat. Protesta e rinisur mbrëmë shënoi rifillimin e betejës së opozitës, ku kësaj radhe është vënë kusht largimi i qeverisë “Berisha” dhe zgjedhje të parakohshme.

1 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›