Milo: “Në shesh derisa të ketë një reagim nga kryeministri Berisha”
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, deklaroi se Shqipëria duhet të shkojë drejt rrugës së drejtë për të ndërtuar përfundimisht një vend të lirë, demokratik dhe europian. Kreu i PDS-së vuri në dukje se asgjë nuk ka ndryshuar që nga protesta e organizuar nga opozita më 20 nëntor, pasi asnjë nga kërkesat e saj nuk janë marrë parasysh nga maxhoranca.
Gjinushi: “Kryeministri Sali Berisha të dorëzojë votat e vjedhura”
Kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, u bëri thirrje qytetarëve që të mos e pranojnë më këtë qeveri, pasi e ka futur vendin në krizë politike dhe ekonomike.
Gjinushi akuzoi qeverinë se ka vjedhur votat për të mbajtur pushtetin, ndërsa ka vendosur korrupsionin në çdo hallkë të shtetit. "Qeveria premtoi dyfishimin e pagave dhe dyfishoi faturat. Kjo është një qeveri e dështuar dhe largimi i saj bëhet vetëm me anë të protestës", - u shpreh Gjinushi.
Ngjela: “Nuk ka nder me fitore të vjedhur. Duhet të largojmë Berishën nga pushteti”
Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shesh derisa t’i jepet fund kësaj qeverie, e cila nuk ka dalë nga votat e popullit. "Nuk ka nder me fitore të vjedhur, ndaj duhet ta largojmë sa më parë Berishën nga pushteti. Ne do të rrimë këtu deri në momentin kur t’i japim fund kësaj qeverisjeje që nuk ka dalë nga populli”, - u shpreh Ngjela.
Protesta maratonë e opozitës, qëndresë maxhorancës për kutitë
Që prej së premtes pasdite ka nisur protesta maratonë e opozitës. Argumenti i kësaj proteste nuk mbështetet vetëm te hapja e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, por edhe te zgjidhja e krizës ekonomike që ka pllakosur vendin.
Atmosfera e protestës është ndjerë që në orët e para të mëngjesit të së premtes. Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë selisë së Kryeministrisë, janë vendosur banderola, në të cilat kërkohet largimi i qeverisë dhe pretendimet e socialistëve për gjendjen ekonomike, varfërinë dhe çështjen e kutive. Sipas planit të organizimit të protestës, socialistët, së bashku me aleatët, u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në orët e vona të ditës së djeshme u ngritën çadra para Kryeministrisë, ku Grupi Parlamentar i PS-së vendosi që të hyjnë në grevë urie 22 deputetë dhe 200 qytetarë. Në orën 18:00, në sheshin “Skënderbej” u grumbulluan të gjithë militantët e opozitës nga e gjithë Shqipëria dhe qytetarët e Tiranës. Më pas, marshimi vijoi përpara Kryeministrisë. Përpara institucionit të Kryeministrisë u ngrit platforma, ku nisën fjalimet e oratorëve. Protestuesit opozitarë do t’i kalojnë netët në shesh, ashtu siç bënë më 22 nëntor, për të vazhduar edhe ditën e nesërme, kur do të zhvillohet në fakt një miting i madh festiv nga ana e maxhorancës. Sipas organizatorëve, çdo ditë do të protestojnë socialistët e një qarku, të cilët do të mbështeten nga qytetarët e Tiranës. Vetëm nga qyteti i Korçës numri i autobusëve ka arritur në 22 dhe rreth 90 makina. Numri i pjesëmarrësve të protestës sipas përllogaritjeve ka arritur deri në 200 mijë.
Dule: “Kryeministri Berisha të hapë kutitë dhe t’u hapë rrugë zgjedhjeve të reja”
Kryetari i Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, kërkoi nga qeveria dhe kryeministri Sali Berisha që të dëgjojë ndërkombëtarët dhe të hapë kutitë e mbyllura. Dule e akuzoi qeverinë për varfërim të popullit, për rritje të çmimeve e shtrenjtim të jetesës. "Duhet t'u hapim rrugë zgjedhjeve të reja dhe daljes së vendit nga kriza", - u shpreh Dule, duke i ftuar protestuesit që të qëndrojnë në shesh deri në nxjerrin e qeverisë nga ngujimi në kuti.
Zogaj: “Kjo është qeveria e makinacioneve të manipulimit”
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Preç Zogaj, sot në ballë të reagimit opozitar, deklaroi se në Shqipëri po shkelen të drejtat dhe populli sot proteston për zgjedhje të lira dhe të ndershme. "Këto zgjedhje nuk kanë këllqe për të mbajtur këtë krizë politike dhe ekonomike ku është futur Shqipëria. Kemi një qeveri që nuk ka dalë nga kutitë e votimit, por nga makinacionet dhe manipulimet", - u shpreh Zogaj.
Ndoka: “Ndal modelit bolshevik të qeverisë Berisha”
Gjatë fjalës së tij në protestë, kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, deklaroi se ka ardhur koha të çlirohen institucionet kushtetuese nga votat e vjedhura. Ai theksoi se në këtë protestë të gjithë janë të bashkuar me qëllimin për të mbrojtur votën e lirë. "E vetmja e drejtë që na ka mbetur është e drejta e protestës", - u shpreh Ndoka, duke akuzuar qeverinë se nuk po merret me hallet e pensionistëve, minatorëve, njerëzve në nevojë.
1 Maj 2010