Ruçi: “Berisha ti japë zgjidhje krizës, ose tu hapë rrugë zgjedhjeve të reja”
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i ka kërkuar kryeministrit Sali Berisha t’i japë zgjidhje krizës politike, ose të shpallë zgjedhje të parakohshme. Praninë e qytetarëve nga e gjithë Shqipëria në shesh, Ruçi e ka quajtur rrugën e vetme të drejtësisë, ku qytetari i lirë përballet me pushtetin. Pjesëmarrjen e popullit të opozitës në protestë Ruçi e quajti historike dhe provë të madhe për të ardhmen. Duke folur në podiumin e ngritur para Kryeministrisë, deklaroi se qeveria “Berisha” meriton të ikë sa më parë, sepse i ka ardhur ora e ballafaqimit. "Ky pushtet duhet të kuptojë se duhet të respektojë lirinë e votës së lirë. Ne do të jemi këtu pa ndalim për ta nxjerrë Shqipërinë nga ky tunel i errët drejt së vërtetës dhe së drejtës", - u shpreh Ruçi. “Ky popull nuk e meriton këtë qeverisje të dështuar, ndaj ajo meriton vetëm ikjen një orë e më parë. Ky është një pushtet i dalë jashtë vullnetit tuaj. I arkitektuar mbi gënjeshtrën, ai ka vetëm rrugën e zgjedhjeve të parakohshme”. Ruçi theksoi se askush nuk mund ta mbajë sovranin në gjumë dhe nuk mund të gjunjëzojë një popull të tërë. “Ka vetëm dy rrugë në udhëkryq: ose të pranojë zgjidhjen e krizës, ose zgjedhjet e parakohshme”. Këto janë dy alternativat e vetme që opozita i propozon qeverisë.
1 Maj 2010