E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, ultimatum Berishës: “Hap kutitë e 28 qershorit, ose largohu!”



Prej tetë muajsh Partia Socialiste ka kërkuar zbardhjen e të ashtuquajturit krimi elektoral i 28 qershorit, kërkesë e cila, ka hasur në qëndresë të fortë nga maxhoranca. Edhe pse u pranua ngritja e një komisioni hetimor me objekt hetimi zgjedhjet e 28 qershorit, sërish kryeministri bëri lojën e radhës duke mos lejuar që opozita të ketë shumicën e saj në këtë komision. Si rezultat i indiferencës së maxhorancës për të lejuar hetimin e zgjedhjeve të kaluara, ka nisur dje protesta maratonë e opozitës jo vetëm për hapjen e kutive, por edhe për krizën ekonomike. Me nisjen e protestës së djeshme në sheshin “Skënderbej”, kryetari i Partisë Socialiste i ka bërë thirrje kreut të Ekzekutivit, Sali Berisha, para selisë së Kryeministrisë, të hapë kutitë, ose të largohet. Kryesocialisti deklaroi se opozita është e vendosur në kauzën e saj dhe do të vazhdojë derisa të ketë një reflektim nga kampi i djathtë.
Rama
Kreu i partisë më të madhe të opozitës deklaroi se Shqipëria është në udhëkryqin e një mbretërie të pashpallur, të një qeverisjeje që po e rrënon vendin. Rama ka falënderuar të pranishmit në protestë, të cilët, sipas tij, po tregojnë se e refuzojnë këtë qeverisje që po gjunjëzon drejtësinë dhe po sakaton ekonominë. “Jemi këtu për të hapur një faqe të re në librin e kësaj proteste që do të jetë një sakrificë e pandalshme deri kur rruga e transparencës të hapet dhe rruga e grabitjes së zgjedhjeve të mbyllet", - u shpreh Rama. Kreu socialist theksoi se opozita është e vendosur të luftojë kundër kësaj gjendjeje në të cilën është futur vendi, duke theksuar se beteja e ndërmarrë është për të eliminuar korrupsionin. "Transparenca e zgjedhjeve nuk është çështje e gjykatave. Nuk synojmë ta marrim pushtetin përmes transparencës, por kërkojmë transparencë përmes pushtetit", - u shpreh Rama, duke theksuar edhe njëherë se nuk kërkon pushtet në tavolinë, por zbardhje njëherë e mirë e vjedhjes së zgjedhjeve. Rama vuri në dukje se pa u çliruar zgjedhjet, çdo çështje tjetër do të bëhet e pamundur për t'u zgjidhur përballë këtij pushteti. Sipas Ramës, vendi ndodhet në udhëkryqin e një monarkie të pashpallur, pasi pushteti vjedh votat duke e kthyer popullin në rob të keqqeverisjen dhe një republike ku qeveria është me dhe për njerëzit.
Thirrja
"Hap kutitë, ose largohu! Hap kutitë jo për të kuptuar populli se ke vjedhur votat, se këtë e kanë kuptuar që kur i mbylle forcërisht, hap për të nxjerrë armën e korrupsionit që zgjedhjet e ardhshme të mos vriten më nga e njëjta armë. Dorëzojani popullit armën me të cilën mbajtët pushtetin, pasi pa e nxjerrë që aty atë armë vrastare në Shqipëri nuk mund të ketë më liri të zgjedhjeve. Me këto fjalë i është drejtuar Rama kryeministrit Berisha dje në protestë. Më tej Rama u ndal te boshatisja e arkës së shtetit për shkak të rritjes së shpenzimeve. “Arka është shkallmuar nga një qeveri pykash dhe e ardhmja është marrë peng me drurin e pushtetit të bërë njësh me shtetin, ndërkohë që Shqipëria e bukur shëmtohet përditë para syve tanë, varfërohet duke humbur copën e bukës, bëhet ferri i pajetueshëm”, - tha kreu i PS-së. Sipas Ramës, ëndrra e vjetër "Shqipëria si gjithë Europa" nuk duket gjëkundi, as në punën e organeve të Drejtësisë që lëngojnë, as në shkollat e spitalet tona, as në rrugët e atdheut ku përplasen dallgët e plehrave dhe ndërtimeve kuturu e as në rrugët e fshatrave ku të këput shpirtin fukarallëku. Rama u është përgjigjur gjithë atyre zërave se opozita po pengon integrimin, duke u thënë se kjo është betejë për Shqipërinë europiane. "Kjo betejë është kundër të këqijave që e kanë penguar liberalizimin e vizave, nga korrupsioni te paaftësia e qeverisë që na la të fundit në Ballkan", - tha Rama.

1 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›