E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërkombëtarët, misioni i pamundur për zgjidhjen e krizës



Që prej gushtit dhe deri tani ndërkombëtarët nuk kanë arritur të finalizojnë përpjekjet e tyre për gjetjen e një rrugëzgjidhjeje mes palëve. Edhe sponsorizimi i vazhdueshëm i presidentit Topi nuk solli rezultat në përplasjen e egër mes Berishës dhe Ramës. Vetëm katër ditë më parë, ambasadori spanjoll Montobio, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, i bëri thirrje maxhorancës dhe opozitës të zbatojnë rekomandimet e raportit të BE-së, duke paralajmëruar kosto për integrimin e vendit. Sipas tij, përgjegjësit e vetëm janë pozita dhe opozita. Përgjegjësit e krizës politike janë pozitë-opozita dhe si të tillë duhet të gjejnë zgjidhje”, - tha përfaqësuesi diplomatik i Spanjës në Tiranë. Montobio ka deklaruar se vendi për dialog mes tyre është Parlamenti, ndërsa theksoi se “zgjidhja e krizës është te respekti për Kushtetutën, për transparencën”. Kriza ishte edhe në axhendën e kreut të NATO-s, Rasmusen, në vizitën që bëri dy ditë më parë. Gjatë 6 muajve të fundit ndërkombëtarët kanë konsumuar shumë energji, por pa arritur që të realizojnë misionin e tyre. Aktualisht nuk është investuar për gjetjen e një negociatori të huaj për ndërmjetësimin mes Berishës dhe Ramës.

Kongresisti amerikan: Të hapen kutitë

Kryetari i Nënkomitetit për Europën i Komitetit të Politikës së Jashtme të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Bill Delahunt, përmes një letre drejtuar kryeministrit Sali Berisha, ishte ndër të vetmit që adresoi kërkesën e qartë për hapjen e kutive. Delahunt nxit kryeministrin Berisha për transparencën e zgjedhjeve nëpërmjet hapjes së kutive, në kuadrin e hetimit parlamentar të propozuar. Në letrën dërguar kryeministrit Berisha, Delahunt nënvizon se ky veprim do të mundësonte një vlerësim të qartë në funksion të përmirësimit të sistemit elektoral në të ardhmen.

1 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›