Kapen me 29 kg drogë, në pranga tre vetë

DURRËS - Kanë qenë orët e para të mëngjesit kur një mjet tip Mercedes -Benz që udhëtonte në drejtim të Durrësit është ndaluar nga një ekip policie në një zonë të plazhit të Durrësit dhe menjëherë janë nxjerrë jashtë 2 pasagjerët dhe shoferi i saj dhe më pas mjeti i është nënshtruar një kontrolli nga ana e ekspertëve të policisë. Sapo kanë hapur kapakun e bagazhit të pasmë ata kanë konstatuar se në çantën e madhe plastike ndodhej një sasi prej 28 pakosh të mbështjella me qese plastike në të cilat u dyshua se gjendej lëndë narkotike. Ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si "Rrota e kuqe" në sektorin "Teuta" të plazhit të Durrësit rreth orës 7:20 të mëngjesit. Pas këtij kontrolli personat janë shoqëruar në polici së bashku me materialin e dyshuar si dhe mjetin e transportit "Benz"-in me targa PR 0888 B. Ky ka qenë edhe finalja e operacionit të koduar "Mëngjes i Freskët". Ky emërtim është vënë nga hartuesit sepse, sipas burimeve, gjatë përgjimit telefonik është kapur biseda se do të udhëtonin në mëngjes kur koha të ishte e freskët. Policia ka njoftuar se ditën e shtunë nga shërbimet e saj ka përfunduar me sukses operacioni i koduar "Mëngjes i freskët". Bilanci i këtij operacioni ka qenë arrestimi në flagrancë i tre shtetasve si dhe sekuestrimi i sasisë prej 29,053 kg lëndë e dyshuar si kanabis sativa. Policia thekson se gjatë këtij operacioni u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve: Dorjan Kanani, 22 vjeç, lindur e banues në Përmet, Lirak Bejko, 45 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, Arjan Peçi, 43 vjeç, lindur e banues Varash të Përmet, i cili ka rezultuar si i dënuar më parë për veprën penale të tentativës së vrasjes. Policia konfirmon se "kapja në flagrancë e këtyre shtetasve u krye në orën 07:20, në vendin e quajtur "Rrota e kuqe" në lagjen 13 Plazh Durrës".