Lapraka, nis projekti tre milionë euro për urbanizimin
• Brenda vitit që vjen zona e Laprakës në kryeqytet do të ketë fytyrë të re.zirina llambroProjekti që do të mundësojë urbanizimin e plotë të saj nisi dje zbatimin duke bashkuar si rrallë herë në ditën e inaugurimit, përfaqësuesit e qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës. Të pranishëm veç ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, ishin edhe ministrja e Integrimit, njëkohësisht deputete e zonës, Majlinda Bregu, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduart Shalsi dhe ambasadori italian në vendin tonë, Saba D’Elia. Projekti për rehabilitimin e infrastrukturave të qendrës së Laprakës, do të realizohet nëpërmjet financimit të “Koperacionit italian”, me një vlerë prej 3 milionë euro. Projekti “Punime të Urbanizimit Parësor në Lagjen Laprakë” parashikon punime për rehabilitimin e situatës në rrjetin inxhinierik nëntokësor, ujësje-llës, kanalizime, elektrik, si dhe në atë sipërfaqësor, rrugë, trotuare, sipërfaqe e gjelbër si dhe ndriçim. Po kështu, është parashikuar edhe ndërtimi i plotë i sistemit të ndriçimit rrugor, sinjalistika e plotë horizontale, si dhe ndërtimi i një sërë sipërfaqesh të gjelbra në shërbim të komunitetit të kësaj zone. Nëpërmjet tij do të mundësohet edhe rehabilitimi i plotë i kinemasë dhe i bibliotekës së zonës. Kompania që do të zbatojë punimet është firma italiane “F.lli SAVINI” s.r.l dhe afati kohor i parashikuar për përfundimin e tyre është 360 ditë. Ministri Olldashi në fjalën e tij falënderoi qeverinë italiane për financimin e këtij projekti mjaft të rëndësishëm. Sipas Olldashit, ky projekt, pjesë e programit “Periferitë urbane në Tiranë”, do të bëjë të mundur risistemimin tërësor të infrastrukturës urbane dhe të shërbimeve parësore, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës të banorëve të kësaj zone. Ndërkaq nga sa është parashikuar në projekt, janë rreth 7 kilometra rrugë, të cilat do të rehabilitohen, si në rrugën “Gjergj Legisi”, “Lord Bajron”, “Pandi Dardha”, “Vangjeli Noti”, “Marin Barleti”, “Riza Kuka”, “Gjergj Kastrioti”, “Rexhep Preze”. Gjithashtu rehabilitimi do të përfshijë edhe rreth 5 kilometra kanale të ujërave të zeza dhe të kullimit të ujërave të shiut në rrugë, ndërtimin e 2 kilometrave ujësjellës të ri, ndërtimin e dy parqeve në zonat e lira midis pallateve (rreth 2 hektarë sipërfaqe të gjelbra), si edhe rikonstruksionin dhe vënien në eficencë të dy ndërtesave social-kulturore (kinemasë dhe bibliotekës). Zona e ndërhyrjes përfshin një sipërfaqe prej rreth 46 hektarësh.7 km rrugë do të rehabilitohen, si pjesë e projektit të rehabilitimit të zonës së Laprakës. Veç tyre, parashikohet ndërtimi edhe i dy parqeve në zonat mes pallateve me një sipërfaqe rreth 2 hektarë