E Shtunë, 31 Tetor 2026

Epilepsia, kryhet operacioni i rrallë në tru

• Për herë të parë në vendin tonë realizohet një ndërhyrje e rrallë në tru tek një pacient që vuante nga sëmundja e epilepsisë.Mjekët shqiptarë, të kryesuar nga mjeku neurokirurg, Mentor Petrela, në bashkëpunim me specialistë italianë të Institutit Kombëtar Neurologjik të Milanos kanë realizuar me sukses operacionin duke përdorur sondën milimetrike. Sipas shefit të  Shërbimit të Neurokirurgjisë, Mentor Petrela, ndërhyrja është realizuar me një metodë që ka përparësi precizionin teknologjik të lokalizimit të zonës ku kryhet operacioni. “Ndërhyrja u realizua me sukses dhe pacienti nga Kosova është në gjendje të mirë shëndetësore. Ai fillimisht u diagnostikua në Itali, falë teknologjisë dhe aparaturave bashkëkohore”, tha Petrela. Nga sa sqaroi neurokirurgu i njohur, kjo metodologji e rëndësishme shërben për kurimin e disa sëmundjeve neurologjike, për të cilat efekti i medikamenteve nuk është gjithmonë rezultativ. “Pikërisht me këtë metodë, ne do të nisim kurimin e rreth 10 për qind të pacientëve që vuajnë nga sëmundja e epilepsisë”, u shpreh Petrela, sipas të cilit, nga kjo sëmundje në vendin tonë vuajnë rreth 30 mijë persona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›