E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mu turrën patriotët e më bënë për një lek..!

• Arian ÇANITë premten e kaluar, unë shkruaja te “Panorama” një shkrim me titullin “Po mua përse duhet të më vijë keq për serbët!”. Dhe sigurisht që për ta bërë sa më të lexueshëm e të thjeshtë mesazhin që doja të kaloja, u vura në rolin e një qytetari të thjeshtë shqiptar nga Shqipëria, i cili do të tronditej ...realisht nëse një ditë, një komunitet a minoritet do të shpallte pavarësinë e njëanshme. Mora si shembull Dropullin, ku jeton prej kohësh një minoritet etnik grek. Nuk mund të merrja shembull Tropojën apo jo… Nuk do të kishte sens. Krahasimi çalon? Po ja e zëmë se çalon… Ç’rëndësi ka kjo? Nuk ishte aspak ky qëllimi i shkrimit tim. Dhe ja disa nga reagimet që mbërritën me vrull të paparë në e-mailet e gazetës “Panorama”. Këto reagime do të mbeteshin pa vlerë, të izoluara dhe pa zë, nëse do t’i fusja një “delete”. Por vendosa t’i botoj, edhe pse ata që m’u turrën gjithë mllef, nuk ma kërkuan një gjë të tillë. Vendosa kështu t’u bëj një surprizë, duke e nxjerrë mendësinë e tyre në dritë të diellit dhe sigurisht duke ua kthyer një përgjigje ashtu siç e meritojnë… Një përgjigje jo më shumë këtyre që kanë reaguar me emër dhe mbiemër, por atyre që mendojnë njësoj si këta e nuk guxojnë të ma thonë… Lexoni si më bëjnë për një lek… Madje vënë në diskutim dhe preferencat e mia seksuale…       1. Asnjë shqiptar nuk e pranon atë mynxyrë shkrimi të Arian Çanit! Nuk e kuptoj se kujt i shërben gazeta e juaj. Në rast se është kundër Shqipërisë, pse atëherë nuk shkoni ta botoni në Athinë ose Beograd. Në rast se jo, pse duhet të jenë në shtabin tuaj antishqiptarët e llojit të AC??... Nga Sali Bollati2. O ju të nderuar, nëse vazhdoni që në faqet e gazetës suaj të nderuar të botoni shkrime nga një psikopat dhe pederast i llojit të Arian Çanit, do ju mallkojë Zoti!Përshëndetje nga Tetova… Nga Zeqirja Ismaili3. Përshëndetje… Kam shumë respekt për gazetën tuaj dhe besoj se është e vetmja gazetë e pavarur në Shqipëri. Por habitem jashtë mase kur shoh për të disatën herë në gazetën tuaj artikuj idiote dhe tejet ofensive të shkruar nga Arjan Çani. Sidoqoftë, kjo letër është thjeshtë shprehje e indinjatës time personale ndaj shkrimeve të tilla, të cilat përveç se njollosin emrin e mirë të gazetës tuaj, indinjojnë edhe lexuesit pa qenë nevoja… Nga Oltion Moli4. Jam një qytetar nga Kosova dhe në Alb-shkenca lexova një shkrim nga Arian Çani, që ka botuar në të përditshmen e juaj. U befasova për të keq, por janë befasuar edhe shumë kosovarë për të keq nga ju se si e lejoni të botohet një shkrim kaq antishqiptar. Në Kosovë nuk mundesh të botosh një shkrim kundër Shqipërisë, se nuk lejojnë redaksitë. Ju keni bërë gabim, shumë gabim… Nga Gazmend Rexhepi5. Me gjithë respektin për gazetën tuaj, dua të them se shkrimi i sotëm i Arian Çanit, që sa ofendus se mëshironte atë Serbi koloniale që i ka bërë shqiptarëve aq krime, e manipulonte me krahasime që nuk kanë pikë lidhje e baze historike. Pra, gjynah për atë Serbi që bëri krime e masakra, po prit se ne jemi në anën që e pësoi, e kur ti na këndon gjyhan, për këtë Serbi që bëri krime, ne na prek shumë, se sikur do të mbash gjallë atë që bën këto të këqija. Pa ato e gjenocidin e ‘99-ës, Kosova nuk do ishte shkëputur nga ajo. Koshtunica edhe sot i adreson shqiptarë si skllevër të tij, që asnjë s’ka të drejtë t’ia marr, e madje me etiketime kriminel e terrorist, një popull të tërë, kuptohet se ai e ka pronë të tij e të bëj me ta ça të dojë. Krahasimi i Arian Çanit, sa cinik, e s’ka pikë lidhje. Ne nuk kemi bërë gjenocid në Dropull, madje i kemi trajtuar më mirë se shqiptarët, u kemi dhënë dhe toka në pronësi të shqiptarëve, e madje edhe kur greku ka bërë spastrim etnik poshtë kufirit e Gjenocidin Çam, ne prap nuk i kemi ngajtur. Më fal, po është tepër ofendus ky krahasim me Serbinë koloniale e që ka bërë luftra e gjenocide, me shtetin shqiptar e qëndrimin e tije e raportet me minoritetin në Dropull. Nuk e pranoj se ne jemi ‘serb’ me ata, e as kemi qenë. E dyta, Serbia ka katërfishuar territore. Shqipërisë që Arian Çani na kujtoj që të kuptojmë, sesi ndihen serbët, të mendojmë sikur ne të na iki një krahine.Ne e dimë, o Arian, se na ka marrë gjithë ato territore, e të banuar nga shqiptarë, në Mal të Zi, Kosovën, Preshev, Bujanovc Medvegj e gjithë shqiptarët e Serbisë jugore, Maqedoni, Greqi, madje këtu të pastruar etnikisht. Kështu ne e dimë më mirë se gjithë të tjerët, ti a e di, o Arian? Akoma Serbia ka tre krahina shqiptare, Preshev, Medvegj, Bujanovc, pra tre Dropuj të mëdhenj e pa krahasim nga madhësia e popullsia, që mos mërzitet Çani që na bën krahasime me Dropullin, e mos ngelet Serbia pa gjë. Shkrimi i sotëm i Arian Çanit për Kosovën, është sa jashtë standardit që gazeta juaj ka vendosur në vite. Nostalgjia e pasia gjynah e Arianit, për Serbinë koloniale, është tepër e rëndë për shqiptarët që kanë pagar atë mbi shpinë. Nuk ka të vij keq për Serbinë koloniale, pas gjithë atyre të këqijave të saj. Në qoftë se me të vërtetë do të vij gjynah për Serbinë, është që ajo energjitë të harxhoj për popullin e vete, e mirëqenien e tije, e jo të harxhoj kohë e energji për të skllavëruar e sunduar popuj të tjerë… Me respekt, Bledi Gjokaj6. Nuk di si ndryshe t’ia parashtroj një pyetje z. Çanit. Nëpërmjet forumit të gazetës u përpoqa, por nuk pata mundësi, prandaj besoj se nëpërmjet juve do të mund t’ia parashtroj këtë pyetje: Vallë, ai njeri din pak nga historia? Si mund të bëj një krahasim të tillë mes Kosovës dhe Dropullit? Shumë e palogjikshme nga ana e tij, dhe të them të drejtën më ka befasuar, por për të keq. Sepse nuk e kam pritur një gjë kaq të palogjikshme. E them këtë, sepse, nëse ai nuk e din, atëherë e din bota e tërë se Kosova me dhunë është bërë pjesë e Serbisë dhe në Kosovë nuk jetojnë serbë, por shqiptarë, dhe njësoj si në Dropull që flitet greqisht, në Kosovë flitet shqip, madje edhe ata pak serbë që janë aty janë të sjellur në kohën e kolonizimit të saj pas Luftës së Dytë Botërore. Lexo pak nga historia e popullit shqiptar, z. Çani! Pasi të kesh mësuar pak, atëherë mund të marrësh të drejtën për të bërë komente të asaj natyre. Përndryshe, nuk thuhet më kot se “Heshtja është ar”. Pse irriton për kot njerëzit, madje në këtë kohë kur çështja e Kosovës ka përfunduar dhe komentet e tilla nuk janë asgjë tjetër pos fjalë boshe dhe që çojnë ujë në mullirin serb dhe antishqiptar. Fort besoj se qëllimi i shkrimit tuaj nuk qëndron këtu?!  P.S. Ju lutem, dërgojani këtë letër të shkurtër z. Çanit. Ju faleminderit dhe përshëndetje… Nga Lumturia, Shkup.Ja pra… ajo që prisja, ndodhi. Përveç postës elektronike edhe letra në redaksinë e gazetës, telefonata nervoze lart e poshtë, agresivitet, sharje, pakënaqësi... Gjëja e parë që më erdhi në mendje ishte se, me sa duket, kjo ndodh gjithmonë në këtë vend kur shpreh një mendim të veçuar, kur nuk identifikohesh me mendimin unik. Në këtë vend, por dhe në Republikën e re të Kosovës, shumë njerëz nuk e kuptojnë humorin e zi. Druaj se shumica nuk e kupton cinizmin. Dhe aq më pak provokimet. Ka njerëz që nuk i kuptojnë të gjitha këto. Ç’të bësh në këto raste? Po unë përse duhet të merrem tani me këto gjëra? Përse duhet, vallë, të heq dorë për disa çaste nga komoditeti i stilit tim dhe i mënyrës sime të të menduarit dhe të rri e të sqaroj dynjanë? Atë dynja që, jo për fajin tim, i mungon sensi i këtij lloj humori? Përse duhet të ndjehem unë përgjegjës që këta njerëz nuk kanë aftësinë e të menduarit pak më tepër se 30 sekonda, e që nuk arritën të kuptonin thelbin e shkrimit tim?Ku e gjejnë të drejtën këta “kampionë të vlerave të demokracisë” që shajnë sistemet totalitare për mendim të unifikuar me dhunë, të mos e pranojnë mendimin tim të lirë? Një mendje më tha të mos u përgjigjem. Por meqë jam gazetar, instinkti dhe detyrimi që më imponon profesioni ma rrëzuan këtë ide. Por kujdes…! Unë nuk do t’ju përgjigjem ashtu siç e prisni ju. Klishetë, mendimi i përgjithshëm, serioziteti shterp dhe qesharak nuk janë pika ime e fortë. E klasifikoj veten në atë grup individësh që mendon se një shoqëri nuk mund të ketë zhvillim pa shprehjen e lirë të larmisë më të madhe të opinioneve. Jam gati ta kem krejt gabim, të bëj gafat më të mëdha historike, vetëm e vetëm që në tregun e opinioneve të qarkullojnë mendime të ndryshme dhe të kundërta. Tani le të rimarrim temën. Në shkrimin tim të javës së kaluar, siç e thoja, po përpiqesha që, nëpërmjet një fiksioni, të vihesha në rolin e tjetrit. Të vihesh në rolin e tjetrit është një nga virtytet më të mëdha të humanizmit. (E ç’vlerë ka saktësia historike para kësaj?) Fatkeqësitë më të mëdha në këtë botë kanë ardhur, ndër të tjera, pikërisht sepse askush nuk është vënë në rolin e askujt. Serbët, që ju me të drejtë i akuzoni për genocid dhe akte të tjera çnjerëzore, nuk u vunë kurrë në rolin e të tjerëve, në rolin e shqiptarëve. Dhe pasojat e kësaj i dimë të gjithë. Prandaj, mos bëni të njëjtin gabim. “Unë jam tjetri, - thotë një njeri i mençur -, dhe tjetri është unë. Aktet inhumane të shkaktuara ndaj një tjetri shkatërrojnë humanizmin tim”.Tani më mbetet të vihem në rolin tuaj. Në rolin e atij që gjykon pa u matur, në rolin e atij që sulmon, që bëhet agresiv. Edhe pse arrij ta justifikoj deri diku nacionalizmin tuaj patetik në këto ditë festive, e kam të vështirë të vihem në këtë rol. Sepse nuk është ky roli im i natyrshëm. Roli im është ai që duhet të kenë gjithë njerëzit e medias: të bëhem zëri i të pazëshmëve. Sot të pazëshmit nuk jeni ju.Unë kam të drejtën të jem cinik. Kam të drejtën të jem provokator. Dhe mendoj se një provokim është shumë herë më i dobishëm se një mijë seriozitete hipokrite. Ju nuk e kuptoni që është pikërisht kjo, arsyeja që ju më lexoni. Meqë ra fjala, si rrjedhojë e reagimeve tuaja, edhe këtë javë unë po merrem me të njëjtën temë në shkrimin tim. Ja ku doli një shkrim i dytë nga i pari. Dhe kjo falë jush. Mos harroni që unë paguhem për çdo shkrim. Tema që kisha planifikuar të trajtoja për sot do më mbetet për javën e ardhshme. Kështu e kam më të lehtë. Nuk mundohem shumë. Ju faleminderit. Kështu bëjeni gjithmonë. Ja përse kolegët e mi gazetarë që e kanë kuptuar këtë nuk bënë asnjë koment kundër meje. Madje, disa prej tyre, ata pak profesionistë e mendje hapur që janë në këtë vend, u erdhi aq mirë kur ma lexuan shkrimin. Me zë të ulët, më thanë se kisha të drejtë… (ariancani@gmail.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›