Mjeku Feçor Gaçi: “Grevistët jetojnë 30 ditë pa ngrënë”
Grevistët mund t’i mbijetojnë grevës së urisë vetëm duke konsumuar ujë deri në 30 ditë. Kështu ka deklaruar dje shefi i Shërbimit të Endokrinologjisë, Feçor Agaçi, i cili e cilëson grevën e urisë së deputetëve socialistë dhe të 180 mbështetësve të saj, të rrezikshme për shëndetin e tyre. Ai shpjegon se nëse këta persona do të vazhdojnë grevën e urisë, mund t’i mbijetojnë asaj vetëm duke konsumuar ujë rreth 30 ditë. Sipas endokrinologut, me kalimin e ditëve fillojnë të shkatërrohen organet dhe të shfaqen simptoma nga më të ndryshmet. “Pa marrë ushqim, njeriu mund të rrojë teorikisht 30 ditë, po dhe ato janë raste shumë të rralla. Dhe nga mosmarrja e ushqimit pas ditës së tretë fillojnë probleme. Në fund, pastaj, problemi mbetet i tillë që shkatërrohet dhe sistemi nervor”, - shpjegon Feçor Agaçi. Sipas tij, për personat që vuajnë nga diabeti, greva është dyfish më rrezikshme, pasi ata mund të bien në koma të tipave të ndryshëm. “Përsa i përket atyre që kanë diabet, greva e urisë është dyfish më e rrezikshme. Do të rëndohen shumë dhe do të vijë një moment që do të bien në koma hipoglicemike nga ulja e madhe e sheqerit dhe gjendja do të jetë shumë e rëndë dhe shumë alarmante”, - vijon Agaçi. Por, me gjithë shpjegimet e mjekut, grevistët opozitarë janë të vendosur për të vijuar grevën e urisë, ndërkohë që disa prej tyre kanë filluar të shfaqin shenjat e para në shëndet duke përfunduar edhe në spital për të marrë shërbimin e duhur mjekësor.
J. Tashi
5 Maj 2010