Grevistët, qeverisë: Zgjidh kërkesat tona brenda javës
TIRANË – Grevistët deputetë dhe mbështetës të Partisë Socialiste i kanë bërë apel qeverisë që të zgjidhë kërkesat brenda javës, në rast të kundërt do të përshkallëzojnë kushtet e tyre. Kryetari i grupit organizator të grevës, Fatmir Xhafa, deklaroi dje se protesta do të kalojë në një fazë tjetër nëse nuk do të arrihet një kompromis. Ai paralajmëroi mosnjohjen e qeverisë dhe të Kuvendit nëse nuk do t’i hapet rrugë hetimit parlamentar sipas propozimeve që ka bërë Partia Socialiste. Zoti Xhafa u shpreh se një hap i tillë do të merret nga Partia Socialiste dhe greva është në funksion të një politike që kjo parti ka ndjekur për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.
Kërkesa ndaj qeverisë
Vetëm pak ditë pas paketës prej 6 pikash që grevistët e ngujuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” i paraqitën qeverisë, dje kanë paralajmëruar edhe kushte të tjera për maxhorancën nëse nuk zgjidhet kriza. “Nuk do ta njohim qeverinë dhe as Kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit nëse nuk do t’i hapet rrugë transparencës së plotë të zgjedhjeve”, - tha dje deputeti Fatmir Xhafa, i njohur si drejtuesi i grupit organizator të grevës. Ai tha dje se nëse nuk do të ketë reagime deri në fundin e javës, greva do të kalojë në një fazë tjetër. “Nëse kryeministri i vendit nuk është i interesuar që të pranojë transparencën, kjo do të thotë se i mungon legjitimiteti moral, ligjor dhe kushtetues”, - deklaroi Xhafa. Drejtuesi i grevës së rreth 200 deputetëve dhe mbështetësve të PS-së që janë ngujuar në grevë që prej mbrëmjes së 30 prillit tha se në rast të mosplotësimit të kushteve, përveç delegjitimitetit, do të kërkohen edhe zgjedhje të parakohshme. Ai theksoi se këto janë pjesë të lëvizjeve që po bën Partia Socialiste për hetimin e zgjedhjeve parlamentare dhe greva është në funksion të misionit për transparencë.
Kushtet
Vetëm pak ditë më parë, grupi organizator i grevës u bëri një mesazh të hapur organizmave ndërkombëtare dhe mediave të huaja, ku përcaktoi gjashtë kushtet për maxhorancën. Përveç kërkesës për hapjen e kutive të votimit, ndër kërkesat e parashtruara ishin edhe transparenca e situatës ekonomike, emërimi konform procedurave ligjore në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë, si dhe zbardhja e autorëve të vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi. “Plotësimi i këtyre kërkesave me interes publik e kombëtar dhe aspak partiak apo në favor të një pale kundër një tjetre, do t’i kthejë vendit normalitetin e munguar politik e institucional dhe do të përshpejtojë procesin e demokratizimit e të integrimit europian të vendit”, - thuhet në deklaratën e bërë më datë 7 maj, në ditën e 7-të të grevës. Tashmë, grevistët paralajmërojnë radikalizim të kushteve nëse nuk do të gjendet zgjidhje gjatë kësaj jave.
Fatmir Xhafa e feston ditëlindjen në bulevard
Fatmir Xhafa mbase s’e ka menduar që këtë përvjetor do ta kremtonte në bulevard, i ngujuar në një grevë urie. Dita e djeshme, që shënoi ditën e lindjes së tij, përkoi me një mot të keq, me shira të rrëmbyeshëm, sikur të mos mjaftonin 17 ditët e jetesës në çadrat para godinës së Këshillit të Ministrave. Burimet zyrtare të selisë rozë bëjnë të ditur se “për t’i bërë urimet e rastit ka qenë i pranishëm në këtë festë edhe kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili i ka dërguar një tufë të madhe me lule”. Sipas tyre, “lulet i janë dorëzuar deputetit Xhafaj nga vetë Rama, i cili më tej ka ndaluar për disa minuta duke biseduar me grevistët”.
KUSHTET E GREVISTËVE
• Transparenca e pakushtëzuar përmes hetimit të plotë parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, duke nisur nga kutitë – jo për efekt të ndryshimit të rezultatit, po për efekt të nxjerrjes së problemeve e përgjegjësive në zbatimin e ligjit gjatë procesit zgjedhor – dhe duke e shtrirë rrezen e hetimit mbi të gjithë problematikën e vënies së shtetit në shërbim të pushtetit për qëllime elektorale duke qenë të hapur për të pranuar lidhur me qasjen ndaj kutive çdo zgjidhje të negociuar që garanton transparencën pa sfiduar tërësinë e rezultatit të zgjedhjeve.
• Transparenca në funksionimin e Kuvendit me qëllim garantimin e kontrollit kushtetues ndaj qeverisë, përfaqësimin e ekuilibruar të shumicës dhe të opozitës në drejtimin e komisioneve të përhershme parlamentare dhe delegacionet parlamentare, kufizimin e imunitetit ndaj akuzave për korrupsion dhe arritjen e konsensusit për miratimin e një sërë ligjeve të rëndësishme të sistemit të drejtësisë.
• Transparenca e shifrave të ekonomisë dhe dhënia fund e praktikave të kundërligjshme e të rrezikshme të dezinformimit dhe manipulimit të publikut me shifra të deformuara për qëllime politike që nuk reflektojnë realitetin e ekonomisë shqiptare.
• Transparenca në funksionimin e Këshillit Kombëtar të Radio Televizioneve dhe të Radio Televizionit Shqiptar, përmes miratimit me konsensus të një kuadri të ligjor dhe rregullator të standardeve të Bashkimit Europian, si edhe pranimit të një ekuilibri të ri në bordet përkatëse të tyre.
• Transparenca në përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë për të mundësuar miratimin me konsensus parlamentar të kandidaturave të zgjedhura, bazuar në kritere të meritës dhe profesionalizmit e jashtë ndikimeve politike si domosdoshmëri për qëndrueshmërinë e këtyre institucioneve kushtetuese dhe si kusht për arritjen e konsensusit për reforma e ligje të rëndësishme që kanë të bëjnë me forcimin e shtetit të së drejtës.
• Transparenca mbi hetimin e vrasjes së deputetit të Partisë Socialiste Fatmir Xhindi, që do të garantonte zbardhjen e menjëhershme dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të vrasjes.
18 Maj 2010