E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: “Nuk ka kthim prapa për transparencën e zgjedhjeve”



Deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, në fjalën e saj gjatë protestës së djeshme u ka bërë thirrje të gjithë intelektualëve që firmosin peticione kundër grevës së urisë të hapin sytë. “Po nuk luftuam ne sot, nesër është radha e tyre, sepse ky pushtet nuk të fal për interesat e tij”, - tha Leskaj. Deputetja Leskaj bëri të qartë se nuk ka kthim mbrapa për socialistët nëse nuk bëhet transparenca e plotë e zgjedhjeve. “Ne po i japim një cilësi të re demokracisë në këtë vend, forca jonë qëndron tek e drejta, qëndron te rezistenca. Harroje Sali Berisha se ne mund të lodhemi, se mund të tërhiqemi. Ne nuk jemi këtu për pushtet, jemi këtu që vjedhja e votës të mos shërbejë si mburojë për pushtetin e pushtetit të paligjshëm dhe denoncimi i saj si një shans për të ardhmen integruese të vendit drejt Bashkimit Europian. Rezistenca jonë është shpëtimi i Shqipërisë dhe integrimi i saj në strukturat europiane”, - theksoi Leskaj.

Gjiknuri: “Kërkesa jonë është në përputhje me Kushtetutën”

Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, hodhi poshtë dje pretendimet e qeverisë se kërkesat e opozitës bien ndesh me Kushtetutën, duke theksuar se nuk ka asgjë më themelore për një popull se e drejta për transparencën e votës. “Kjo kauzë ka mbledhur kaq shumë njerëz dhe do të vazhdojë të mbledhë, sepse ka në themel një të drejtë themelore, të drejtën e qytetarëve për votën. Kërkesa jonë është në përputhje të plotë me Kushtetutën. Nuk ka gjë më themelore për një popull sesa të kërkojë transparencën për votën e tij”, - u shpreh
Gjiknuri.

Ngjela: “Kjo është koha për të larguar një kryeministër banal”

Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, e ka cilësuar protestën e opozitës si nismën më të madhe që ka përfshirë Shqipërinë pas shpalljes së pavarësisë. Gjatë fjalës së tij në protestën e djeshme, avokati është shprehur se vendi ndodhet në këtë situatë negative pasi nuk është qeverisur nga elitat. “Kjo është nisma më e madhe që pas shpalljes së pavarësisë. Kjo situatë ka ardhur sepse nuk na kanë drejtuar elitat. Nuk na kanë drejtuar asnjëherë dhe ka ardhur koha që të jemi të vëmendshëm, sepse kemi shansin historik për të larguar nga pushteti një kryeministër banal”, - u është drejtuar Ngjela pjesëmarrësve në protestë. Ashtu si dhe herët e tjera, Ngjela nuk i ka kursyer akuzat ndaj qeverisë dhe kreut të saj, duke theksuar se ajo jeton duke u mohuar të drejtat qytetarëve. “Janë njerëz të shteruar që synojnë të jetojnë me vjedhjen e madhe. Ju do të hyni në histori si njerëzit që i thyet hundët këtij kryeministri”, - tha Ngjela.

18 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›