PS-LSI vënë alarmin për uzurpimin e institucioneve
Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë reaguar dje pas rrëzimit të dekreteve të presidentit Topi për anëtarët e Gjykatës së Lartë. PS-ja dhe LSI-ja kanë akuzuar kryeministrin Berisha se është kthyer në rrezik dhe uzurpues për institucionet kushtetuese në vend. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, tha se PS-ja e konsideron qëndrimin e djeshëm të maxhorancës, e cila hodhi poshtë dekretet e Presidentit të Republikës, si një rast alarmant për pavarësinë e Gjykatës së Lartë, si një presion direkt mbi gjyqtarët sipas filozofisë, por edhe si një shantazh i drejtpërdrejtë ndaj Presidentit të Republikës. “Njëherësh ne e konsiderojmë të rëndë situatën në Gjykatën e Lartë, e cila mbetet e bllokuar për shkak të këtij qëndrimi, i cili nuk bazohet në asnjë argument, po në logjikën e shantazhit ndaj presidentit për ta detyruar të bëjë pazar me qeverinë për emërimet e gjykatësve. Qëndrimi ynë është i qartë: Partitë nuk mund t'i imponojnë Presidentit të Republikës emrat e gjykatësve që Kushtetuta ia jep të drejtën atij që t'i dekretojë”, - tha Leskaj.
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, reagoi ashpër pas rrëzimit të dekreteve presidenciale. Meta tha se Berisha po ndërmerr revansh uzurpues ndaj institucioneve të pavarura, sidomos pas ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit. “Revanshi për uzurpimin e institucioneve nga Berisha dhe maxhoranca e tij, krejtësisht tashmë e nënshtruar nga kamxhiku i listave të mbyllura, që filloi natën e 21 prillit me miratimin e ndryshimeve kushtetuese, duket qartë se nuk do të ndalet me kaq. Dje radhën e pati presidenti dhe bashkë më të edhe pavarësia e Gjyqësorit, duke filluar nga pavarësia e Gjykatës së Lartë. Ndryshimet puçiste kushtetuese të 21 prillit, që i dhanë një pushtet të paprecedentë dhe që e bënë të pakontrollueshëm nga Parlamenti Berishën, po japin me shpejtësi efektet e tyre negative dhe antishtet. Ky është një moment tepër kritik, i cili kërkon një qëndrim të unifikuar e kurajoz të të gjithë forcave opozitare e progresiste në vend, për t’i thënë NDAL delirit uzurpator të këtij kryeministri dhe maxhorancës së tij”, - tha Meta.
18 Qershor 2008