E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzimi i dekreteve, opozita në akuzë për trafik votash

Asnjë grup parlamentar i opozitës nuk doli me qëndrim zyrtar. PS dhe LSI, akuza të ndërsjella nën rrogoz për rrjedhje votash

Shaban Sulçe

Rrëzimi në Kuvend i dekreteve të presidentit Topi për anëtarët e Gjykatës së Lartë, përveçse ka sjellë triumfin e radhës të kryeministrit Berisha, ka shkaktuar përplasjen dhe sherret e radhës brenda kampit të opozitës. Votat kundër kandidaturave për Gjykatën e Lartë, por edhe 23 votat kundër heqjes së imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, mund të konsiderohen jo vetëm si një dështim numrash në Parlament nga ana e opozitës, por mbi të gjitha kanë vënë në pikëpyetje për moralin politik të përfaqësuesve të saj. Edhe pse votimi ka qenë i fshehtë, fakti që asnjë prej grupeve parlamentare të opozitës, si ai i PS-së, LSI-së dhe PSD-së nuk u shprehën zyrtarisht për dy votimet në fjalë, ka bërë që tashmë ato të vihen në “bankën e të akuzuarve” për trafik votash. Madje përfaqësuesit e PS-së dhe të LSI-së kanë shkëmbyer nën rrogoz akuza të ndërsjella për rrjedhje votash dhe dhënie mbështetjeje ndaj qëndrimeve dhe planeve politike të kryeministrit Sali Berisha.
Imuniteti i Mediut
Të gjitha partitë parlamentare të opozitës kanë bërë deklarata politike për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Megjithatë, asnjë prej grupeve parlamentare nuk doli me një qëndrim zyrtar përpara seancës në të cilën u votua për imunitetin e tij. Ndërkohë që krejt të kundërtën ka bërë Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, që doli me vendim zyrtar për heqjen e imunitetit të Mediut. Në këtë aspekt, edhe pse votimi ishte i fshehtë, PD-ja del “e larë” për imunitetin e Mediut dhe 23 votat kundër heqjes së imunitetit, të paktën zyrtarisht, bien mbi kurrizin e opozitës.
Dekretet
Edhe në rastin e votimeve të dekreteve të presidentit, asnjë prej grupeve parlamentare të partive të opozitës nuk ka shprehur qëndrimin zyrtar nëse do të votonin pro apo kundër këtyre dekreteve nominale. Një fakt i tillë i linte rrugë të hapur mundësisë së trafikimit të votave. Dhe kjo gjë mund të konstatohet lehtësisht në rezultatet e votimit për 5 dekretet e presidentit Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Po të shihen me vëmendje rezultatet e votimit për 5 kandidaturat, mund të konstatohet lehtësisht se të paktën në 4 prej tyre ka pasur vota “kundër” me shumicë nga ana e deputetëve të opozitës. Rasti më flagrant është ai i kandidaturës së Mehdi Bicit, ndaj të cilit pati 86 vota kundër.

18 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›