E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekja Spahiu: 10 prej grevistëve në gjendje të rënduar

Vetëm dje janë dërguar për në spital 5 grevistë. Ndër ta, edhe deputetja Ledi Shamku

TIRANË - Në ditën e 13-të grevës së urisë, gjendja shëndetësore e mbi 200 grevistëve,
ka qenë tepër e rënduar. Vetëm dje janë dërguar për në spital 5 grevistë, ndër ta edhe deputetja e PS-së, Ledi Shamku.


Gjendjen e renduar shëndetësore e ka konfirmuar edhe mjekja që qëndron në çadra, Klodiana Spahiu. "Gjendja e tyre shëndetësore sa vjen dhe po rëndohet më tepër.


Sot janë pothuajse në pjesën më të madhe të kohës të gjithë të shtrirë, për shkak të pafuqisë, të uljes së tensionit, dobësisë trupore, dhimbjes së muskujve. Është një gjendje e rënduar për shkak të mungesë së ushqimit gjatë gjithë këtyre ditëve, sot është dita e 13 vetëm me ujë.


Ne jemi munduar t'i ndjekim në çdo moment, duke kontrolluar presionin arterial, rrahjen e zemrës, kemi bërë një bilanc të analizave të përgjithshme dhe të elektroliteve që duhen ndjekur me shumë kujdes, jemi përpjekur aty ku janë limitet minimale të normës t'i zëvendësojmë dhe aty ku kemi parë që nuk kemi mundur t'i rikuperojmë i kemi dërguar në spital.


Por, realisht sot gjendja është më e rënduar", - tha dje për mediat, Spahiu. Ajo ka konfirmuar për gazetarët se 10 prej grevistëve janë në gjendje të rënduar shëndetësore.


Spahiu tha gjithashtu se ata që vendosin për të lënë çadrën, pavarësisht qëndrimit të mjekut, janë vetë grevistët. "Pavarësisht gjendjes shëndetësore, morali i tyre mbetet akoma më i lartë. Insistojnë ta vazhdojnë grevën dhe të mos dalin prej saj pa realizuar atë çka kërkojnë", - tha ajo.


Spahiu foli konkretisht për simptomat që shoqërojnë grevistët. "Simptomat më kryesore janë ulja e tensionit, dobësia trupore, dhimbja e muskujve, dhimbja e stomakut, përzierja dhe të vjella", - tha ajo. Mjekja konfirmoi edhe gjendjen shëndetësore të atyre që kanë dalë tashmë.


"Unë i kam vizituar vetë, kam kontaktuar me ta, një pjesë prej tyre janë larguar nga spitali dhe janë rikuperuar mjaft mirë. Asllan Dogjani është në spitalin e kardiologjisë edhe ai është në gjendje të mirë. Relativisht janë në kushte mira shëndetësore", - tha ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›