E Diel, 1 Nëntor 2026

Roja bregdetare shpëton peshkatarin nga mbytja

Vlorë, varka e Petrit Maliqit nga Orikumi është marrë nga rrymat detare. Peshkatari kërkoi ndihmë me telefon


VLORË- Roja bregdetare në bazën e Pashalimanit ka mundur të shpëtojë paraditen e djeshme një mjet të vogël me një peshkatar, i cili kishte dalë për të peshkuar. Siç bëjnë me dije burime nga kjo bazë, sinjali për ndihmë është marrë në orët e mëngjesit. Peshkatari kishte dalë për të peshkuar, por erërat e forta që kanë nisur në orët e mëngjesit, kanë bërë që të devijojë nga trajektorja. Në këto kushte ai është detyruar që të çajë ujërat e detit vetëm në sajë të rremave. Me të marrë sinjalin, i cili është dhënë nëpërmjet telefonit, një nga rojet bregdetare të pozicionuara në Pashaliman është nisur në operacionin e shpëtimit. Burime nga rojet bregdetare pohuan se operacioni ka zgjatur vetëm pak minuta. Mjeti ka qenë në zonën e quajtur Gjiri i Dukatit. Mësohet se peshkatari që ndodhej në varkën e vogël, rreth tre metra të gjatë, është në gjendje të mirë shëndetësore. Peshkatari është Petrit Maliqi, 45 vjeç, me banim në Orikum, i cili si çdo ditë kishte dalë për të peshkuar. Siç ka pohuar ai vetë, është nisur rreth orës 06.00 të mëngjesit dhe ka hedhur rrjetën e vet të peshkimit jo shumë larg bregut. Por era e fortë ka bërë që varka të dalë nga kontrolli i drejtimit. "Forca e erës ka ardhur duke u shtuar dhe më shtynte drejt thellësive. Kur pashë që e kisha të pamundur kthimin, njoftova me telefon një mikun tim dhe i thashë të shkonte urgjentisht në bazën e Pashalimanit. Pak kohë më pas erdhën rojet bregdetare",- ka pohuar dje Petrit Maliqi. Kapiteni i rangut të dytë, Artur Meçollari, konfirmon ndihmën që i është dhënë peshkatarit nga ana e mjeteve të kësaj baze. Sipas tij, pas marrjes së sinjalit, është ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme, duke bërë të mundur shpëtimin e peshkatarit. Erërat e forta të paradites së djeshme kanë sjellë probleme edhe në transportin e pasagjerëve në portin e Vlorës. Një prej trageteve që pritej të merrte pasagjerët dhe automjetet për të udhëtuar më pas drejt Brindizit, është detyruar të marrë vetëm gjysmën e ngarkesës, pasi e ka pasur të pamundur përpunimin normal për shkak të forcës së erës. Pranë kapitenerisë së portit Vlorë mësohet se forca e erës ka arritur në 16 metër\ s, duke detyruar edhe disa anije të tjera t'i drejtohen radës, për tu mbrojtur në brendësi të gjirit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›