Grinden mes shokësh, dy plagosje me thikë brenda ditës
Zënkat banale mes adoleshentësh, për pak kanë përfunduar tragjikisht për dy të rinj shkodran. Ngjarja e parë ka ndodhur dje paradite, në njërin nga lokalet-pub të qytetit, në afërsi të rektoratit të universitetit "Luigj Gurakuqi". Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se Gabriel Guri, 17 vjeç, banues i qytetit të Shkodrës, është plagosur rëndë me thikë. Ndërkohë vetëm pak orë pas ngjarjes, policia ka identifikuar autorin, Besard Çeliku, 19 vjeç, i cili është shpallur në kërkim policor. Sipas dëshmitarëve okularë të ngjarjes, mësohet se i plagosuri dhe autori kanë qenë në ambientet e brendshme të lokalit, kur mes tyre ka nisur një grindje banale. Fillimisht të rinjtë janë grindur me fjalë, por më pas sherri ka degjeneruar në përdorim të armës së ftohtë. Për pasojë 17-vjeçari Guri ka marrë një plagë në pjesën e sipërme të trupit, duke humbur një sasi të konsiderueshme gjaku si shkak i hemorragjisë. Mësohet se ngjarja ka ndodhur pas një zënke banale mes dy të rinjve, që mund të jetë provokuar nga përdorimi i pijeve alkoolike. Ndërkohë në orët e vona të pasdites së djeshme, është regjistruar një tjetër plagosje me thikë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen "Skënderbeg", kur Aron Vajushi, 20 vjeç është grindur për motive banale me 19-vjeçarin, Briken Binoshi. Djemtë janë grindur dhe goditur respektivisht, për pasojë 20-vjeçari Vajushi është plagosur me thikë, ndërkohë që dhe agresori i rij është plagosur rëndë me mjete të forta.
Ar.Ho.
Ar.Ho.