E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanosin policët, prangosen dy vëllezërit e dehur

Fyejnë dhe kanosin në gjendje të dehur disa policë, prangosen dy vëllezër, banorë të qytetit të Fierit. Burime zyrtare nga policia lokale bëjnë të ditur se në orët e para të mëngjesit të së shtunës janë arrestuar Bledar dhe Genti Gjergaj, përkatësisht 24 dhe 31 vjeç, pasi pak para mesnatës së të premtes, në gjendje të dehur, kanë krijuar terror në rrugët kryesore të qytetit. Duke drejtuar automjetin e tyre "Kraisler" me targa të huaja GYK3407, me shpejtësi tej normave të lejuara, kanë shpërfillur kontrollet policore. Patrulla e policisë së qarkullimit i ka bërë shenjë makinës të ulë shpejtësinë dhe të ndalojë, por drejtuesi, Bledar Gjergaj, e ka sfiduar urdhrin e patrullës. Pas ndalimit nga policia, dy vëllezërit nuk e kanë ndalur arrogancën, duke fyer dhe kanosur uniformat blu. Burimet zyrtare të Policisë së Fierit pohojnë për gazetën "Shqip" se ndaj dy vëllezërve Gjergaj janë ngritur katër akuza: "kundërshtimi i punonjësit të policisë dhe rendit publik", "mosbindje e urdhrit të punonjësit të rendit publik", "drejtim i automjetit në gjendje të dehur" dhe "prishje të rendit dhe qetësisë publike". Ndalimi i dy vëllezërve Gjergaj është bërë pas mesnate, ndërkohë që fletë-arrestet e tyre janë prerë dje, në orët e para të mëngjesit.

Ma.Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›