E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie interesi për pasaporta biometrike dhe karta identiteti

Bie interesi për aplikimet e pasaportave biometrike dhe kartave të reja të identitetit. Operatorët e zyrave të aplikimit në Fier nuk japin shpjegim për këtë ulje të interesimit, ndërkohë që pohojnë se numri i aplikimeve ka rënë ndjeshëm. Sipas të dhënave zyrtare mësohet se për pesë muajt e fundit kanë aplikuar dhe janë pajisur me pasaportë biometrike vetëm 3500 persona. "Që nga data 10 maj e këtij viti, kur nisi procesi i aplikimit për pasaportat e reja, në qytetin e Fierit janë shpërndarë vetëm 3500 të tilla. Ky është një numër shumë i vogël aplikimesh për një qytet si Fieri, që numëron mbi 100 mijë banorë", shprehet operatori i zyrës së aplikimit në Fier. Ndërsa më 10 maj pranë kësaj qendre aplikimi kanë qenë 8 operatorë, prej disa javësh numri i tyre është reduktuar në 3. Operatorët që kanë mbetur në funksion të zyrës së aplikimit të Fierit tregojnë se, ndryshe nga ditët e muajve të verës, që numri i aplikimeve arrinte në 60 brenda një ditë, tashmë as një e dhjeta e këtij numri nuk realizohet. Fluks për pasaportat biometrike ka pasur në muajin korrik dhe gusht, atëherë kur ardhja e emigrantëve ka qenë e lartë.

Ma.Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›