E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet Durrës-Tiranë sjellin 2 të vdekur dhe nëntë të plagosur

Nëntë aksidente kanë ndodhur gjatë 24 orëve në Tiranë dhe Durrës, ku janë shënuar dy persona të vdekur dhe 9 persona të plagosur. Sipas të dhënave policore, gjashtë nga këto aksidente kanë ndodhur në kryeqytet me shtatë të plagosur, ndërsa tre të tjerë në Durrës, me dy të vdekur dhe dy të plagosur.

Sipas të dhënave të policisë së kryeqytetit, nga seksioni i hetimit të aksidenteve rrugore filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen Fatbardha Çoka, 40 vjeçe, banuese në Tiranë, sepse në orën 13:45, te Farmacia Nr. 10, duke drejtuar mjetin "Pezho", me targë TR2688S, ka aksidentuar fëmijën Alesio Çuka, 8 vjeç, i cili pas mjekimit ndodhet në banesë. Për ndjekje penale në gjendje të lirë u dërgua edhe Endrit Tusha, 26 vjeç, pasi në orën 11:55, në rrugën "Y. Bylykbashi", duke drejtuar mjetin "BMW", me targë AS634BG, është përplasur me motorin "Jamaha" TR1B70, ku për pasojë është plagosur motoristi Ernest Muka, 24 vjeç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa për aksidentin e tretë është arrestuar Qemal Bruka, 53 vjeç, pasi në orën 07:45, në Kamzë, duke drejtuar mjetin "Mercedes Benz", me targë TR9003F, ka aksidentuar këmbësoren Nafie Nikoçi, 48 vjeçe. Ajo është dërguar menjëherë në spital, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Në aksidentin e katërt janë përplasur dy makina dhe kanë mbetur të plagosur një vajzë shqiptare dhe një i huaj. Sipas policisë, rreth orës 16:10, në Kashar, Endri Kazanxhi, 24 vjeç, ka qenë duke drejtuar mjetin "Audi", me targë DR8288D, kur është përplasur me mjetin kamion "Volvo", me targë VRA76, të drejtuar nga shtetasi Janusz Stanislaw Ciesielski, 45 vjeç, banues në Poloni, ku për pasojë është aksidentuar ai dhe pasagjerja në makinën "Audi", Teodora Kazanxhi, 56 vjeçe, që ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Policia tha se në kryeqytet janë plagosur nga aksidentet edhe dy këmbësorë. Në lidhje me këtë filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Albert Dokun, 30 vjeç, sepse në orën 11:30, në Rrugën e Durrësit, duke drejtuar mjetin "Ford", me targë MEAD383, ka aksidentuar këmbësorin Shefki Murrja, 50 vjeç. Për ndjekje penale u dërgua edhe Halil Halmusaj, 18 vjeç, sepse në orën 13:00, në Kamzë, duke drejtuar mjetin "Land Rover", me targë Y935GEP, ka aksidentuar këmbësoren Sabire Muka, 52 vjeçe.

Ndërsa në Durrës ngjarja e parë është shënuar në orët e para të së shtunës, kur një 23-vjeçar nga Shijaku ka humbur jetën, për shkak të shpejtësisë në lëvizje. Denis Gjata ka qenë duke drejtuar automjetin tip "Seat", me targa BR235LY, në aksin rrugor "4 Rrugët e Shijakut", kur në afërsi të Komunës Xhafëzotaj ka humbur kontrollin e mjetit dhe për pasojë ka dalë jashtë rruge duke goditur një shtyllë elektrike. Përplasja ka qenë fatale për 23-vjeçarin Gjata, i cili ka gjetur vdekjen brenda pak minutash. Vetëm pak orë më pas, një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në aksin nacional Korçë-Pogradec. Një mjet tip "BMW", me targa KO7790B, është përplasur me një karrocë që transportonte prodhime bujqësore. Dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë si pasojë e përplasjes së fortë të mjetit me karrocën. Burimet e policisë thanë se janë plagosur rëndë drejtuesi i mjetit, Olgert Mustafa, 25 vjeç nga qyteti i Korçës, si dhe 65-vjeçari Agron Brahimllari nga fshati Melçan, që po shkonte në treg për të shitur produktet bujqësore. Gjithashtu, nga një aksident tjetër ka mbetur i vdekur Bekim Zani, ndërkohë që policia ka arrestuar autorin Spartak Çobarxhiu.

Ble.Gi. Va.Qy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›