E Diel, 1 Nëntor 2026

I kalon gardhin lopa, vret fqinjin 45-vjeçar

Një grindje banale midis dy familjeve i ka marrë jetën një 45-vjeçari nga fshati Podgorie i Rrethit të Korçës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të së shtunës, kur pas një sherri për çështje pronësie është qëlluar me armë zjarri 45-vjeçari Reshat Adri. Viktima është qëlluar me një çifte nga një fqinj i tij, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur nga policia për arsye hetimore. Sipas të dhënave paraprake mbi ngjarjen, bëhet e ditur se "molla e sherrit" midis dy familjeve fqinje me njëra-tjetrën është bërë një lopë në pronësi të familjes Adri, e cila ka hyrë për të kullotur në kopshtin e familjes tjetër. Fillimisht janë grindur fëmijët dhe më pas në sherr janë përfshirë edhe prindërit e tyre, të cilët gjatë pasdites kanë kërcënuar dhe kanosur njëri-tjetrin për mosmarrëveshjet e krijuara. Megjithëse u duk se sherri u mbyll, pas disa orësh fqinjët janë grindur sërish. Komshiu i 45-vjeçarit, i armatosur me një çifte, ka qëlluar në gjaknxehtësi e sipër ndaj bashkëfshatarit të tij, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Policia bën të ditur se autori i kësaj vrasjeje ka arritur të largohet duke përfituar nga errësira e natës. Ndërkohë, postblloqe të shumta policie janë ngritur në aksin rrugor Korçë-Pogradec, për të penguar largimin e autorit, ndërkohë që kontrollet për kapjen e tij kanë vazhduar përgjatë gjithë natës në fshatin ku banon.

Ju.Dh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›