E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova C - projekti që bashkon Kosovën me Perëndimin

Lajmet e fundit që vijnë rreth madhësisë së kapaciteteve të reja energjetike, dëshmojnë se Kosova po kthehet në fazën fillestare të këtij problemi. Dëshiroj të them që në fillim se këto vendime të pabazuara në të dhënat profesionale i kushtojnë tepër shtrenjtë zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe gjithashtu demokracisë së saj.

Ekonomisë, për shkak se Kosova ka nevojë për më tepër energji se kaq, nëse mendon të ketë një ritëm më të shpejtë të zhvillimit ekonomik dhe industrial.

Demokracisë, për shkak të arbitraritetit të vendimeve të qeverisë, pa e konsultuar Kuvendin e Kosovës.

Ekonomisë, sepse kjo do të thotë se qeveria parasheh një zhvillim më të ulët ekonomik, rrjedhimisht edhe nuk i duhet më shumë energji.

Demokracisë, sepse projekti Kosova C është pjesë e Strategjisë së Energjisë së Kosovës, e cila është miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe vetëm ai mund ta ketë fuqinë sovrane për ta ndryshuar atë. Nuk mund ta mbështesim të ardhmen ekonomike të vendit në dëshira subjektive të individëve, por në fakte objektive dhe nevoja të vendit për zhvillim.

Komiteti Drejtues i projektit Kosova C duhet ta pranojë se vonesat e mëdha dhe tashmë edhe të qëllimshme që u bënë në këtë projekt, shtynë konsorciumet më të fuqishme amerikane dhe europiane të largohen nga ky projekt. Këto konsorciume nuk u larguan nga vendi, siç thuhet, për shkak të krizës financiare botërore, por u larguan për shkak të vonesave të Komitetit Drejtues dhe paqartësisë së procesit. Këtë më së miri na e vërtetoi ministrja e Energjisë, profesoresha Pula, e cila para pak ditësh u prononcua për herë të parë hapur dhe shpjegoi se nuk ishte dëshirë e saj që projekti të kalojë siç e kishte miratuar Kuvendi i Kosovës, por siç dëshiron ajo vetë.

Që është kështu, më së miri u dëshmua nga deklarimi i njërës nga kompanitë prestigjioze gjermane, "RWE", e cila deklaroi se po tërhiqej nga procesi i mëtejshëm për shkak të kompleksitetit të tij dhe nivelit të pjekurisë së projektit. Pra, jo për shkak të krizës financiare globale. Një argument tjetër për këtë është se këto kompani tani kanë nënshkruar kontrata të reja në tregjet europiane dhe botërore. Në anën tjetër, vende të rajonit, si Shqipëria, Kroacia, Sllovenia, Serbia, Bosnja, Maqedonia, kanë bërë hapa shumë dinamikë në fushën e energjisë dhe krijimit të partneritetit me investitorët e huaj. Siç e dimë, kjo pjesë e Europës është shndërruar në një treg të fuqishëm për investime në fushën e energjisë. Energjia është bërë problemi më i ndjeshëm në raportet ndërkombëtare, njëkohësisht edhe mjet i fuqishëm i ndikimit politik.

Rusia, me kompanitë e saj të fuqishme të gazit dhe të prodhimeve të tjera, është duke tentuar pandërprerë që të shtrijë ndikimin e saj në gjithë këtë pjesë të Europës.

"Gazprom", kompania shtetërore ruse e gazit, është duke e shtrirë rrjetin e saj edhe në këtë pjesë të Ballkanit. Përmes gazit si mall jetik, Rusia mëton të ketë ndikim të fuqishëm ekonomik dhe politik në këto shtete të vogla. Përveç të tjerash, kjo është edhe tendencë për të nxjerrë nga loja kompanitë e fuqishme europiane dhe amerikane nga kjo pjesë e Europës Juglindore, rrjedhimisht edhe shtetet përkatëse.

Luftërat që bëhen në kufijtë e Rusisë janë luftëra që bëhen për energji, prandaj energjia më nuk është vetëm çështje ekonomike, por ka marrë edhe dimensione të mëdha të sigurisë.

SHBA-të janë një nga vendet kryesore të cilat kanë bërë investime të mëdha në krijimin e një ambienti paqësor në Kosovë, duke i kushtuar vëmendje të theksuar fushës së sigurisë. SHBA-të bënë investime të mëdha për të vendosur sistemin dhe institucionet demokratike në Kosovë. Ato, së bashku me demokracitë e tjera perëndimore, investuan shumë në këtë pjesë të Ballkanit për çështje të sigurisë dhe tani në vend që këto raporte të thellohen në dimensione edhe ekonomike pse jo, institucionet tona aktuale dhe lidershipi i Komitetit Drejtues, me politika jo të qëndrueshme, larguan nga sektori i energjisë elektrike të gjitha ato kompani që vinin nga shtete me ndikim të madh ekonomik dhe politik në botë. Mungesa e aftësisë për t‘u përballur me menaxhimin e këtij projekti ka bërë që pas dy vjetësh të shtrohen shumë ide rreth projektit Kosova C. Ideja se duhet të ndërtojmë vetëm dy blloqe me nga 300 MGW është joserioze dhe është ideja më e varfër për zhvillimin ekonomik të Kosovës, por edhe për atë politik dhe të sigurisë.

Nxjerrja në opinion e këtyre "margaritarëve" pa studime analitike, tregon qartë për mosaftësinë profesionale të udhëheqjes së Komitetit Drejtues dhe dëshmon haptazi se ky komitet nuk përfill vendimet e Kuvendit të Kosovës mbi sektorin e energjisë elektrike.

Sektorët energjetikë dhe minerarë dikur, edhe pse në rrethana të vështira politike, ishin bartës të zhvillimit ekonomik. Edhe sot resurset natyrore, së bashku me resurset humane, duhej të ishin mekanizmi më i fuqishëm i zhvillimit ekonomik të Kosovës. Kosova C, kompleksi "Trepça", infrastruktura rrugore, arsimi dhe bujqësia duhej të ishin forca shtytëse e zhvillimit ekonomik të vendit.

Kjo qeveri, në dy projektet e para pothuajse ka dështuar tërësisht, prandaj është imperativë që ajo të ecë me politika të qarta në sektorin e energjisë. Ajo duhet të ruajë vendimet që ka marrë Kuvendi i Kosovës në fushën e energjisë dhe duhet të hartojë sa më shpejt pakon tenderuese për projektin Kosova C, të tillë që do të joshë kompani dhe konsorciume të dëshmuara dhe jo me margaritarët e profesoreshës që joshin kompani fantome.

Qeveria duhet të definojë qartë pjesëmarrjen e shtetit, qartas aksionet e tij në minierën e Sibovcit, duhet të definojë politika të qarta rreth Kosovës B, duhet t‘i ofrojë rreth vetes njerëzit më profesionalë që ka Kosova dhe duhet të kërkojë nga qeveria amerikane përmes USAID, ekspertët e dëshmuar amerikanë, të cilët mund të ndihmojnë shumë në definimin e këtij projekti.

Bankat mund të japin ndihmën e tyre në këtë projekt, por mbi të gjitha bankat janë banka dhe kanë tjetër natyrë dhe të tjera objektiva. Në qoftë se qeveria nuk bën hapa të përshpejtuar dhe të mençur, atëherë Kosova do të orientohet në blerjen e sasive të mëdha të energjisë elektrike dhe kjo do të thotë varfërim i mëtejshëm i buxhetit të Kosovës dhe krijim i varësisë ndaj tregtarëve të energjisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›