Grinden për drutë e zjarrit, ekzekutohet me thikë i riu
BULQIZE - Krasta e Martaneshit ka përjetuar mbrëmë një ngjarje të rëndë. Dy të rinj janë përleshur para pallatit të tyre, në qendër të qytetit dhe për pasojë Fatos Daxha, 25 vjeç, humbi jetën. Burime pranë policisë së Qarkut Dibër thanë për gazetën "Panorama" se Gëzim Toma, 27 vjeç, lindur në Bushkash dhe banues prej shumë vitesh në qytetin e Krastës së Martaneshit, ka akuzuar fqinjën e tij, Daxha, se i kishte vjedhur drutë e zjarrit që ai kishte sistemuar në oborrin e pallatit. 25-vjeçari Daxha nuk e ka pranuar akuzën dhe i është lutur disa herë fqinjit ta linte rehat në hallin e tij. Megjithëse reagimi i Daxhës ka qenë mjaft i butë, dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes kanë parë momentet e tmerrit. Gëzim Toma ka lënë sheshin para pallatit dhe është ngjitur në shtëpinë e tij, duke dalë prej andej me një thikë të madhe në dorë. Personat që kanë parë ngjarjen nuk kanë guxuar të ndërhyjnë për të ndalur krimin, pasi sipas tyre Toma ishte mjaft i xhindosur dhe i është vërsulur komshiut, duke e goditur me thikë disa herë në trup. Banorë të qytetit fillimisht kanë kërkuar ndihmën e qendrës shëndetësore të zonës dhe më pastaj është kërkuar transportimi i të dëmtuarit drejt Bulqizës. Bllokimi i rrugës, për shkak të dëborës ka bërë që transportimi i Daxhës të vononte më shumë se dy orë. Plagët e marra, të ftohtit dhe vonesa në dërgimin e tij në spital, ka bërë që 25-vjeçari të ndërronte jetë në vendin e quajtur Qafa e Buallit, afro 2 km larg qytetit të Krastës. Fatos Daxha ishte i fejuar në krahinën e Martaneshit. Mësohet se rreth orës 19:00 në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektivë të policisë së Bulqizës, për të kapur autorin e krimit. Por, duke shfrytëzuar kohën e keqe me borë, ai ka mundur të largohet për disa orë, për t'u kapur rreth mbrëmjes nga policia. h.p