E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja, miqësore me Italinë...në regbi

 Leonard KarajNga data 6-13 shkurt do të grumbullohet për herë të parë në historinë e vet përfaqësuesja shqiptare në regbi. Ekipi do të zhvillojë edhe një miqësore në Pordenone, Itali.  Në Shqipëri thuajse nuk e njohin fare. Por ja që në Evropë janë të shumtë ata shqiptarë të cilët jo vetëm që e praktikojnë si sport, por militojnë edhe në kampionate dhe skuadra prestigjioze. Ndaj me inisiativë dhe mbështetjen edhe të komunitetit italian, këto ditë do të grumbullohet për herë të parë në gjithë historinë tonë, Kombëtarja shqiptare në regbi. Skuadra do të bëjë grumbullimin e parë në Pordenone, qytezë në Friuli, pranë Venecias, në Italinë e veriut. Në 6 shkurt, pra këtë të shtunë, deri më 13 shkurt, skuadra shqiptare do të zhvillojë disa seanca stërvitore dhe më pas edhe një ndeshje miqësore ndaj një formacioni të kësaj krahine. “Për aq sa unë mund të them është se gjatë këtyre viteve si instruktor në shkolla të ndryshme kam vërejtur shumë djem shqiptarë të cilët kanë treguar aftësi të larta në këtë sport. Edhe pse në vendin e tyre regbi thuajse nuk njihet fare, këtu kam vërejtur se ka shumë lojtarë të talentuar që aktivizohen nga kategoritë më të ulëta e deri te më elitaret. Hapi kryesor që ne kemi ndërmarrë është krijimi i një federate të regbisë dhe më pas të vendosemi përfundimisht edhe në Tiranë”, ka pohuar Pierxhiorxhio Grizo, ideatori dhe iniciuesi i krijimit të skuadrës së parë shqiptare në regbi.Për grumbullimin e parë janë thirrur 26 lojtarë shqiptarë të cilët luajnë me skuadra të ndryshme kryesisht në Itali. Kapiten është 21-vjeçari, Sevian Daupi nga Durrësi, i cili luan për Casino Venezia Mestre, skuadër që militon në elitën e këtij sporti në Itali (Serie A). “Projekti nuk ka të bëjë vetëm me organizimin e një skuadre regbie vetëm me shqiptarë por edhe të integrimit të këtij komuniteti, tashmë shumë i rëndësishëm edhe në vendin tonë (Itali). Ditën e ndeshejs do të organizojmë edhe një festë të madhe me shumë të ftuar ku nuk do të mungojnë ftesat edhe për ambasadorin shqiptar këtu si dhe ministrin e sporteve të qeverisë shqiptare”, ka përfunduar Pierxhiorxhio Grizo.ç’është regbi?Regbi është një sport burrëror që praktikohet më së shumti në Amerikë. Pikënisjet e këtij sporti datojnë që në Greqinë e lashtë, por ky sport mori formën e vet vetëm në mesin e viteve 1700 kur nisi të luhej në shkollat e mesme, sidomos në Angli. Aktualisht njihen federata të tilla si regbi futboll, regbi league, regbi union të cilat kanë ndryshime përsa i përket lojtarëve që futen në fushë (te regbi futboll luhet me 13 lojtarë, të regbi league, me 15 lojtarë) por edhe disa rregullave të tjera të cilat i bëjnë të ndryshme nga njëra-tjetra. Ajo që nuk ndryshon është fakti se luhet me një top oval i cili duhet të gjuhet si fillim me këmbë dhe më pas ta kalojë me dorë sa nga një lojtar te tjetri derisa të topi të prekë fushën finale e cila mund të konsiderohet, nëse bëjmë një krahasim me rrjetën e portës në futboll. Ndërkohë regbi union është edhe loja më e përhapur në botë e cila përfshin federata që nga Argjentina, Australia, Anglia, Franca, Irlanda, Italia, Zelanda e Re, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Skocia, Afrika e Jugut, dhe Uellsi. Regbi union administrohet nga Bordi Ndërkombëtar i Regbisë, selia e të cilit është në Dublin, Irlandë. Ky sport luhet edhe me shtatë lojtarë, version ky që është pranuar të jetë pjesë edhe e Lojërave Olimpike të 2012-ës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›