“Letërsia ka maja të larta, por s’ka alpinistë”
Shkrimtari Agron Tufa, nuk mund ta fshehë kënaqësinë që i jep çmimi i Madh i Letërsisë. Jo më shumë për vete, sesa për faktin që më në fund po hidhen sytë edhe kah brezit të shkrimtarëve të pas viteve ’90, të cilët përfaqësojnë vlera të vërteta, por që ende nuk kanë marrë frytin e punës së tyre. ç’do të thotë për ju çmimi i Madh i Letërsisë?Unë jam autor i 12 librave në prozë, poezi, esse, dhe ndihem më në fund i shpërblyer për atë lloj kontributi, përpjekjeje dhe dashurie në radhë të parë, tek e cila ndodh ndonjëherë dhe kthehen sytë. Ndiej natyrisht edhe një përgjegjësi të madhe dhe ngjalljen e një besimi akoma edhe më të fortë te vlerat e vërteta të letërsisë shqiptare.Kryetari i jurisë u shpreh se më në fund letërsia shqipe po sjell vlera të vërteta, cili është mendimi juaj mbi zhvillimet e fundit të saj?E kam shprehur vazhdimisht se letërsia shqiptare është drejt një bumi të madh me formacion të gjerë në të gjitha zhanret, me emra krejt të rinj. Do të doja të përqendrohej më tepër vëmendja te këta shkrimtarë, për të cilët bëhet shumë pak. Janë shkrimtarë të viteve ’90, të cilët janë shumë të konfirmuar, por që me vështirësi çajnë në treg pasi s’u bëhet shërbimi nga shtëpitë botuese, nga shpërndarja, nga qarkullimi i librit dhe kështu krijohet një ide e gabuar se nuk ndodh gjë në letërsinë shqipe. Gjithmonë më kanë pyetur se përse nuk ka maja në letërsinë shqipe të pas viteve ‘90? Unë gjithmonë u përgjigjem po njëlloj: ka maja, por nuk ka alpinistë. Letërsia shqipe do ta dëshmojë këtë. Ndoshta është herët për të dhënë një mendim të specializuar mbi formacionet stilistike dhe letrare që ndodhin në bashkëkohësinë tonë, por herët a vonë kjo do të ndodhë dhe vlerat do të konfirmohen, siç edhe unë nxora në pah gjatë shpalljes së çmimeve që dha juria. Duke qenë në qendër të proceseve letrare të pas viteve ‘90 e kam prekur nga afër dhe e njoh shumë mirë këtë peizazh letrar dhe nuk është aspak më i varfër, apo më i vakët se çdo lloj letërsie nacionale që zhvillohet sot në Evropë. Për këtë duhet pasur respekt dhe jo paragjykime. Duhet të ulesh dhe t’i lexosh. Prandaj duke filluar nga unë, le të marrë lexuesi librat e mi dhe t’i lexojë, pastaj le të krijojë vendimin.çfarë po shkruani ndërkohë?Unë gjithmonë kam disa libra paralel të zhanreve të ndryshme. Kam dy romane që vijnë në kohë të ndryshme, sipas fazës së pjekjes së tyre, sipas itinerarit që të diktojnë vetë ata. Kam në dorë vëllim me tregime e novela. Disa vepra janë të përfunduara në dorëshkrime, por të pabotuara dhe që presin. Unë shfaqem me tre libra të rëndësishëm, dy romane dhe një vëllim me proza të shkurtra dhe nuk mund ta teproj duke publikuar shumë libra njëherazi. Kam shumë pak kohë në dispozicion të krijimtarisë, sepse merrem edhe me mësimdhënie e familja zë një kohë të rëndësishme.