E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndarja e tokave fshatçe, konfuzion për grupet e vlerësimit

 SHKODER - Ndarja e tokës fshatçe, si dhe shpërndarja e pronës në territore të ndryshme nga njëra-tjetra, po sjellin konfuzion për komisionet e vlerësimit të dëmeve nga përmbytjet. Sekretari i këshillit të qarkut Shkodër Besnik Kastrati, bëri të ditur dje disa nga shqetësimet me të cilat po përballen anëtarët e grupeve të vlerësimit të dëmeve. Sipas Kastratit, në zonat e përmbytura, krahas tokave të ndara sipas ligjit 7501, ato janë ndarë edhe  sipas kufijve të vjetër. Për pasojë, një pjesë e mirë e këtyre pronave nuk janë të regjistruara në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive. Ndërkohë, ka zona të tjera ku një pronar i ka sipërfaqet e tokës në distancë nga njëra- tjetra, madje edhe me km larg. Të gjendur para një situate të tillë, grupi i ekspertëve ka kërkuar ndihmën e institucioneve të tjera, kryesisht të kryepleqve dhe të kryetarëve të komunave, prej të cilëve është kërkuar që të japin informacione për gjendjen e pronësisë në momentin e përmbytjes. Për këtë është vendosur që komisionet nuk do të japin rezultate përfundimtare pa u konsultuar me të gjitha hallkat, si ato vendore por edhe të institucioneve qendrore. Sekretari i Këshillit të Qarkut Besnik Kastrati nga ana e tij, qetëson banorët duke pohuar se nuk do të mbesë asnjë metër tokë apo objekte në pronësi të tyre, që është dëmtuar nga përmbytjet pa u vlerësuar. "Shqetësimi i banorëve të këtyre zonave është i parakohshëm. është e vërtetë që një pjesë e tokës në pronësi të tyre nuk është shënuar në formularë për momentin, por kjo nuk do të thotë se nuk do të shënohet. Gjithçka lidhet me pozicionin gjeografik të pronës" u shpreh ai.          r.d  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›