E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artet pamore, organizohen artistët

 Duket se ka ardhur koha që artistët të kenë një status të mirëpërcaktuar ligjërisht dhe të organizohen për të lehtësuar të ardhmen e tyre. “Gjendja e artit bashkëkohor në Shqipëri: zhvillimet e ardhshme” ishte tema e konferencës, e cila u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kjo konferencë u zhvillua në kuadrin e mbylljes të ekspozitës të përvitshme “Onufri” dhe shërbeu si një reflektim, një analizë dhe vetë-kritikë për gjendjen e artit bashkëkohor në Shqipëri, në mënyrë që të thellohet debati mbi të. Gjatë debateve, ku ishin aktivë emra si Gëzim Qendro, ish-Drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve, historian arti, kuratori i edicionit të fundit të “Onufrit”, Parid Teferici, filozofi Elvis Hoxha, artistët Alban Hajdinaj, Klod Dedja, etj., u dol në përfundimin se “Onufri” duhet të jetë një dëshmi e tendencave të artit në Shqipëri dhe të jetë prodhues që gjallëron debatin e artit bashkëkohor. Të mos jetë dëshmi pasive, por të kuptojë shijet e kohës që jetojmë. Sipas të pranishmëve në këtë konferencë, duhet të vendosen kritere të mirëpërcaktuara për përzgjedhjen e kuratorëve, artistëve, jurisë dhe të shihet mundësia e ndihmës financiare për artistët pjesëmarrës në këtë aktivitet. Gjithashtu u diskutua edhe dhënia e bursave për kuratorët e rinj në institucione perëndimore, duke u dhënë një mundësi më shumë për formimin e tyre profesional. Të tjera tema që ngjallën debat ishin edhe qartësimi i statusit të artistit, i cili gjatë periudhës së tranzicionit shqiptar ka mbetur i papërcaktuar në thelbin legjislativ. U hodh ideja që artistët të kenë avantazhet e tyre shoqërore, fiskale, në një kohë që është i nevojshëm certifikim i tyre mbi bazën e kritereve. Por për të arritur të gjitha këto do të ishte e nevojshme vendosja e një dialogu mes artit dhe politikës. Për këtë u propozua krijimi i një qendre të vazhdueshme për të krijuar një database të subjekteve, që merren me artin bashkëkohor. Krijimin e dy këshillave të pavarur, të njohur nga qeveria, por të pavarur nga jetëgjatësia e tyre, që do të ndihmojnë në hartimin e politikave kulturore dhe programet. Njëri nga organet të ketë si funksion mbështetjen ndaj administratave publike në krijimin e programeve shumëvjeçare për artet dhe tjetri të jetë për garancinë e aplikimit të programeve dhe për transparencën e procedurave. U kërkua vendosja e një shume te ardhurash që i jepet njëherë në karrierën e një artisti për promovimin e tij, lehtësimi i lëvizjeve për artistët dhe financimi i një reviste të specializuar arti. U diskutua gjithashtu mbi rishikimin e legjislacionit për fondacionet e artit në Shqipëri, si dhe sponsorizimet nga subjektet shtetërore dhe private.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›