Grinden për moral, plumba pas shpine 52-vjeçarit
VRASJA/ Reshat Rustani është qëlluar me armë mëngjesin e djeshëm teksa po hapte dyqanin ku punonte
PESHKOPI - Një 52-vjeçar ka mbetur i vrarë me armë zjarri para dyqanit të tij mëngjesin e djeshëm në bulevardin "Elez Isufi" të qytetit të Peshkopisë. Reshat Edip Rustani ka ndërruar jetë rreth orës 08:00 pak pas grindjes me një shtetas, teksa ky i fundit ka zbrazur mbi të një karikator duke e lënë të vdekur në vend.
Pak më pas policia ka arritur të kapë autorin e ngjarjes, Qemal Kacin, i cili akuzohet për "vrasje me paramendim" dhe "armëmbajtje pa leje". Motivet e cilësuara si të dobëta nga ana e policisë, mësohet se kanë të bëjnë me çështje morali e që nuk janë mundur të anashkalohet nga personat e përfshirë në ngjarje.
Ngjarja
Mëngjesin e djeshëm, rreth orës 08:00, Reshat Rustani, 52 vjeç, tregtar pajisjesh elektro-shtëpiake u vra përpara dyqanit të tij që ndodhej në bulevardin e qytetit. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ekzekutimi i 52-vjeçarit është bërë ndërsa ky person ishte duke hapur dyqanin në të cilin punonte.
"Nga veprimet e grupit hetimor ka rezultuar se viktima Reshat Rustani është vrarë përpara dyqanit të tij, rreth ores 08:00 te mëngjesit. Gjithashtu, ka rezultuar se autori Qemal Kaci e ka gjurmuar në fshehtësi viktimën dhe e ka vrarë atë duke i zbrazur një breshëri karikatori, teksa viktima ka qëne duke hapur dyqanin në të cilin tregtonte pajisje elektro-shtëpiake",- bëjnë të ditur burimet zyrtare të bluve.
Shkaqet
Në deklaratën për shtyp të dhënë nga policia thuhet se pas hetimeve paraprake, si dhe pas marrjes në pyetje të autorit të krimit rezulton se ekzekutimi i 52-vjeçarit është bërë me paramendim pas disa debateve të njëpasnjëshme që viktima dhe autori kanë pasur me njëri-tjetrin.
I cilësuar si një "krim i kryer me paramendim për motive të dobëta", burimet nga policia shprehen se autori është ndier i fyer nga viktima, çka ka bërë që ai të marrë armën dhe ta qëllojë atë në kohën që Rustani nuk e kishte mendjen. Burime të mëtejshme shprehen se grindja mes dy personave ka qenë për shkaqe morali.
57-vjeçari Qemal Kaci është banor i qytetit të Peshkopisë me profesion mekanik. Ai do të përgjigjet për veprat e "vrasjes me paramendim" si dhe "armëmbajtjes pa leje". Ndërkohë bëhet e ditur se viktima ishte i martuar, baba i dy fëmijëve.