Tragjedi në Kallamata, burri i pret këmbët gruas në prani të fëmijëve
Policia: I kërkoi rikthim në shtëpi, e dëmtuara refuzoi
Mjekët, apel shqiptarëve për të dhuruar gjak
Një ngjarje e rëndë është shënuar dje në Kallamata të Greqisë. Burri i pret këmbët gruas me sharrë elektrike në prani të dy fëmijëve të mitur. Gruaja ndodhet në gjendje të rëndë në spital, burri është vënë në pranga nga autoritetet policore, ndërsa dy fëmijët janë marrë në kujdestari nga kujdesi social. Tragjedia familjare u shënua mesditën e djeshme në Kallamata. Protagonistë të ngjarjes që shokoi opinionin grek është një familje shqiptare. Sipas policisë greke, emigranti Irfan Rama, 40 vjeç, nga Librazhdi, i preu me sharrë elektrike të dyja këmbët së shoqes përpara dy fëmijëve të mitur të çiftit, 10 dhe 12 vjeç. Sipas policisë lokale, Rama kishte mbërritur në qytetin e Kallamatës një ditë më parë, së bashku me dy fëmijët e tij të vegjël, për t’i kërkuar bashkëshortes së tij 30-vjeçare të kthehej në shtëpinë e tyre, të cilën ajo e kishte braktisur dy muaj më parë. Duke hasur në kundërshtinë e së shoqes, 40-vjeçari ka marrë një sharrë elektrike dhe nën ushtrimin e forcës, i ka prerë të dyja këmbët gruas, duke terrorizuar fëmijët e tij të mitur, të cilët kanë nisur ulërimat. 30-vjeçarja ndodhet në spitalin e Kallamatës ku po operohet. Mjekët e spitalit kanë bërë thirrje publike për të gjithë bashkatdhetarët shqiptarë të gruas që jetojnë në këtë zonë, që të shkojnë në spital dhe të dhurojnë gjak. 40-vjeçari është vënë në pranga dhe do të dërgohet në gjykatë për masë arresti mëngjesin e nesërm. Ndërkohë që sipas burimeve zyrtare në shtetin helen, për fatin e fëmijëve do të vendoset ditët në vazhdim prej Gjykatës së të Miturve.