E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendja në komisariate, Dobjani i drejtohet Nishanit



Gjendja në komisariatet e Sarandës e Përmetit pas inspektimit të Avokatit të Popullit, mangësitë e konstatuara në dhomat e ndalimit, ja rekomandimet

Pas një inspektimi të bërë nga komisionerët në qelitë e komisariateve të Sarandës dhe Përmetit, Avokati i Popullit u është drejtuar me disa rekomandime shefave të komisariateve, drejtorëve të policive në qarqe, por për dijeni edhe ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, për marrjen e masave të menjëhershme, me qëllim përmirësimin e kushteve në dhomat e shoqërimit e të sigurimit në këto komisariate. Sipas Avokatit të Popullit, komisionerët kryen më datën 06.03.2009 një inspektim pa njoftim paraprak në dhomat e shoqërimit dhe të sigurimit (izolimit), në Komisariatin e Policisë Sarandë. Inspektimi u krye në orët e paradites gjatë orarit zyrtar të punës, pra nga ora 11:00 deri në orën 13:00. Gjatë inspektimit u konstatuan se në këtë komisariat policie kishte një dhomë shoqërimi dhe një dhomë të sigurisë (izolimi), me dimensione të njëjta 5x2,5m, me dritare me dimensione 50x30 cm me zgarë hekuri dhe rrjet teli, me dyer metalike me dryn dhe shul. Kishte dhe një korridor me dimensione 4x2,5 m, dera e të cilit ishte me zgarë hekuri. Dhomat ishin të papërshtatshme për qëndrim dhe nuk plotësonin standardet më minimale të nevojshme për jetesë. Ato nuk ishin të lyera, të pastra dhe me tualet normal për t’u larë. Ndërkohë që në momentin që është kryer inspektimi, kishte 7 (shtatë) shtetas të shoqëruar. “Nga kontakti që patëm me ta, mësuam se shoqërimi i tyre ishte bërë, pasi akuzoheshin se kishin kundërshtuar forcat e policisë gjatë kohë që kjo e fundit po mbështeste sigurimin e zbatimit të një vendimi të KKRT-së, për prishjen e disa objekteve pa leje në zonën turistike Ksamil”, - bën të ditur Avokati i Popullit në rekomandimet e tij. Më pas, dy prej të shoqëruarve u ndaluan me urdhër të prokurorit të Rrethit Gjyqësor Sarandë për veprën penale “Kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik” parashikuar nga neni 236 i K.Penal. Lidhur me shoqërimin e shtetasve rezultoi se shoqërimi i tyre në organet e policisë nuk ishte bërë sipas kritereve ligjore të përcaktuara në nenet 11/6, 101/1/ “a” dhe “b” dhe 106 të ligjit nr. 9749, dt.04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”. Rasti i shoqërimit të personave të lartpërmendur ishte jashtë kritereve ligjore të përcaktuara në dispozitat e mësipërme. Më konkretisht, ishin trajtuar si të shoqëruar ndërkohë që ishin persona të dyshuar si autorë të veprave penale. Në këtë komisariat policie nuk kishte një konceptim të ri të momentit të shoqërimit, bazuar në kriteret dhe kushtet e reja të përcaktuara në ligjin e ri “Për Policinë e Shtetit”, pasi të shoqëruarve u bëhej kontroll personal dhe u hiqeshin apo bllokoheshin sendet personale si telefona etj., veprim i cili bëhet vetëm në kushtet e nenit 108 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, ku është parashikuar bllokimi i sendeve, si përjashtim vetëm në rastet kur sendet përbëjnë kërcënim të çastit ndaj rendit dhe sigurisë publike. Për personat e shoqëruar nuk aplikohej e drejta e “njoftimit për paraqitje në polici”, e parashikuar në nenin 100 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”. Sipas Avokatit të Popullit, në këtë komisariat nuk u gjetën të mitur bashkë me të rriturit në një qeli. Gjatë këtij inspektimi, komisioneri i Avokatit të Popullit bëri një bisedë me drejtuesit e komisariatit të policisë, ku u ndal dhe trajtoi gjerësisht çështje me interes të përbashkët në fushën e respektimit të të drejtave të njeriut, duke tërhequr vëmendjen për shkeljet e konstatuara. Lidhur me të ndaluarit, të arrestuarit dhe ambientet ku mbahen këta persona, siç u tha edhe më lart, dhoma e ndalimit (izolimit) të shtetasve ishte në një gjendje të papranueshme. Nuk kishte një ndarje të saktë të dhomave për meshkujt, femrat dhe për të miturit, sipas konceptimit të bërë nga ligji i ri nr. 9749, dt. 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”. Për këtë arsye, Avokati i Popullit rekomandon marrje masash urgjente për përmirësimin e gjendjes në dhomat e ndalimit, si dhe për përmirësimin e mangësive të konstatuara.

Gjendja në komisariatin e Përmetit

Gjatë inspektimit në këtë komisariat, Avokati i Popullit u rekomandon drejtuesve të policisë në këtë qark, por edhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe ministrit të Brendshëm, marrjen e masave urgjente për rikonstruksionin e ambienteve të shoqërimit, si dhe ndarjen e tyre veçanërisht për persona të mitur dhe femra në Komisariatin e Policisë Përmet. Avokati i Popullit bëri një inspektim në dhomat e shoqërimit, në Komisariatin e Policisë Përmet, në datën 04.03.2009, nga ora 14:30 deri në orën 16:30. Komisariati i Policisë Përmet dispononte në inventarin e objekteve të tij dy dhoma shoqërimi, të cilat ndodheshin në një ndërtesë më vete. Njëra dhomë ishte me dimensione 3x1.5m, me stol betoni, me dritare me dimensione 50x30 cm me zgarë hekuri e rrjetë teli, pa tualet dhe pa ndriçim nga rrjeti. Dhoma tjetër ishte me dimensione 2x1.5 m, me stol betoni, me dritare me dimensione 50x30 cm me zgarë hekuri e rrjetë teli, pa tualet, pa ndriçim nga rrjeti dhe e papastër. Ndërmjet dy dhomave ishte një korridor me dimensione 2x1 m, dera e të cilit ishte me zgarë hekuri, me shul dhe dryn. Dhomat për të shoqëruarit edhe pse ishin në funksionim, si nga përmasat, ndriçimi, ashtu edhe nga konceptimi për mbajtjen e personave të shoqëruar, ishin dhoma izolimi, pasi nuk plotësonin kubaturën e nevojshme sipas standardeve të përcaktuara në ligj. Në këtë komisariat policie nuk kishte dhoma të veçanta për të mitur dhe femra sipas konceptimit të bërë nga ligji i ri nr. 9749, dt. 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”. Veprimet për të miturit kryheshin në zyrat e punonjësve të policisë, ndërsa femrat mbaheshin në korridor ose në zyrat e oficerëve të Policisë Gjyqësore. Në momentin që është kryer inspektimi nuk kishte shtetas të shoqëruar, por kjo masë shoqërohej gjithmonë me një sërë shqetësimesh nga ana e drejtuesve të policisë, pasi ata nuk dispononin efektiv lidhur me këtë shërbim. Librat e shoqërimit, ndalimit apo arrestimit të shtetasve në polici u konstatuan se plotësoheshin me shumë përgjegjësi, duke pasqyruar saktë shkakun ligjor, por nuk kishin rubrikë për njoftim të familjarëve dhe avokatit mbrojtës. Nga këqyrja e praktikave të personave të ndaluar apo arrestuar u vërejt se të arrestuarve dhe të ndaluarve, në procesverbalet e arrestimit dhe të ndalimit iu ishte shënuar ora e përpilimit të këtyre dokumenteve dhe jo ora faktike si çasti, kur atyre iu është privuar liria në fakt. Gjatë kryerjes së veprimeve verifikuese nga punonjësit e policisë, shtetasit padrejtësisht trajtoheshin si të shoqëruar edhe në rastet e kapjes në flagrancë. Duke i trajtuar në këtë mënyrë, atyre nuk iu ishte llogaritur në kohën e paraburgimit dhe më pas edhe atë të vuajtjes së dënimit koha, gjatë së cilës bëhej verifikimi apo veprime të tjera procedurale, kohë e cila mund të shkonte deri në 10 orë. Në përfundim të këtij inspektimi, Avokati i Popullit u rekomandon drejtuesve të merren masa urgjente për rikonstruksionin e ambienteve të dhomave të shoqërimit, si dhe ndarjen e tyre për persona të mitur dhe femra në Komisariatin e Policisë Përmet, sipas konceptimit të bërë në ligjin nr. 9749, datë 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”. Të bëhen shtesa në organikën e këtij komisariati me qëllim përmbushjen efektive të shoqërimit të shtetasve. Gjithashtu, rekomandohet të kërkohet nga oficerët e Policisë Gjyqësore, të cilët bëjnë arrestime dhe ndalime, që të respektohen me korrektesë dispozitat ligjore të K.Pr.Penale lidhur me shënimin në procesverbal të çastit (orës së saktë) të arrestimit apo ndalimit të shtetasve dhe të mos trajtohen ata fillimisht si të shoqëruar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›